Një ngjarje e rëndë në fshatin Majac të Podujevës ka lënë pas tre viktima dhe shumë paqartësi për mënyrën se si ndodhi gjithçka. Ndërsa informacionet në media kanë qenë të ndryshme, familjarët po përpiqen të sqarojnë versionin e tyre për atë që ndodhi.
Një i afërm i familjes Gashi, që ka zgjedhur të mos identifikohet, ka dhënë një rrëfim për Klan Kosova, duke mohuar disa nga pretendimet që janë publikuar. Sipas tij, familja nuk ka pasur probleme apo konflikte me persona të tjerë dhe nuk ishte në dijeni për lidhjen mes Ardita Gashit dhe Ilaz Brahimit.
Ai përshkruan se situata u përshkallëzua në mënyrë të papritur. Pas të shtënave të para, Ardita Gashi iu afrua disa anëtarëve të familjes dhe kërkoi që të dilnin jashtë për të biseduar me nusen e xhaxhait. Por menjëherë pas kësaj, u dëgjuan sërish krisma, duke shkaktuar panik dhe largimin e të pranishmëve.
“Pasi qëlloi atë djalin, ajo shkoi tek nusja e xhaxhait. Ajo ishte bashkë me nusen e djalit dhe tre fëmijët. Ardita iu tha të dilnin jashtë sepse kishte diçka për të biseduar me nusen e xhaxhait. Sapo dolën, dëgjuam të shtëna. Ne ikëm menjëherë, por ajo u mbyll në dhomën e fëmijëve. Kur vëllai tentoi të hynte, ajo drejtoi armën ndaj vetes dhe i tha ‘largohu, se do të të vras edhe ty’”, ka treguar familjari.
Sipas dëshmisë së tij, ajo më pas u izolua në një dhomë, ndërsa një i afërm tentoi të hynte brenda. Në atë moment, ajo e kërcënoi duke drejtuar armën nga vetja, duke e detyruar të tërhiqej.
Familjari gjithashtu ka sqaruar se arma e përdorur ishte një pistoletë, duke kundërshtuar raportimet për përdorim të armës automatike.
Ngjarja ndodhi më 22 mars, kur dyshohet se Ardita Gashi vrau Ilaz Brahimin. Nga plagët e marra humbi jetën edhe Miradije Gashi, ndërsa vetë Ardita, pas vetëplagosjes, nuk arriti të mbijetojë pavarësisht trajtimit në QKUK.
Autoritetet kanë bërë të ditur se konflikti kishte filluar si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes Ardita Gashit dhe Ilaz Brahimit, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbuluar të gjitha detajet që çuan në këtë ngjarje të rëndë.
