
Kalorësi legjendar Charles de Baltz-Castelmore, i njohur si D’Artagnan dhe frymëzimi i romanit të Alexander Dumas “Tre Muskutjerët”, u rikthye papritur në qendër të vëmendjes pas një zbulimi në Maastricht, Holandë.
Sipas La Repubblica, gjithçka filloi kur një pjesë e dyshemesë së kishës Shën Pjetrit dhe Palit u shemb papritur. Gjatë punimeve për riparimin e saj, një marangoz zbuloi diçka të pazakontë nën dysheme: një skelet pranë një monedhe dhe një plumbi. Pas një verifikimi të detajuar, prifti i kishës kontaktoi arkeologun Wim Dijkman, i cili për dekada kishte kërkuar mbetjet e kalorësit historik.
Sipas ekspertëve, kockat i përkisnin D’Artagnanit të vërtetë, fisnikut të Gaskonjës nga shekulli i 17-të, i cili vdiq në vitin 1673 gjatë rrethimit të Maastricht-it në luftën franko-holandeze. Ai ka qenë frymëzim për veprën e famshme të Dumas-it, e cila fillimisht u publikua në seri në gazetë më 1844 dhe më pas u kthye në një klasik të letërsisë franceze, të përkthyer në të gjitha gjuhët dhe adaptuar në film dhe seriale.
Sipas priftit dhe arkeologëve, varri ishte vendosur nën altar, në tokë të shenjtë, për të nderuar rëndësinë e kalorësit. Monedha franceze dhe plumbi në nivelin e gjoksit, sipas përshkrimeve historike, përputheshin me kujtimet e publikuara në biografinë e vitit 1700.
Skeleti është transferuar në një institut arkeologjik dhe mostrat e ADN-së po analizohen në Mynih, për t’u krahasuar me pasardhësit e babait të D’Artagnanit, në mënyrë që të konfirmohet autenticiteti. Arkeologët e cilësojnë zbulimin “jashtëzakonisht emocionues” dhe presin rezultatet shkencore.
Personazhi i D’Artagnanit dhe aventurat me tre muskutjerët Athos, Porthos dhe Aramis janë bërë pjesë e kulturës popullore, me adaptime filmike ku ai është interpretuar nga aktorë të njohur si Douglas Fairbanks, Michael York, Chris O’Donnell dhe Pierfrancesco Favino. Motoja e muskutjerëve, “Një për të gjithë, të gjithë për një”, është bërë pjesë e përditshmërisë, ndërsa figurat dytësore si Milady dhe kardinali Richelieu janë po ashtu ikonë e letërsisë.
Nëse analiza e ADN-së konfirmon se skeleti i përket D’Artagnanit të vërtetë, varri i kalorësit do të kthehet në një destinacion pelegrinazhi historik, ndërsa Holanda dhe Franca do të garojnë për të përcaktuar autorësinë e tij.
