
Qindra tifozë shqiptarë janë vënë në lëvizje drejt Prishtinës për të ndjekur nga afër përballjen mes Kosovës dhe Turqisë në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Të mbështjellë me flamuj kombëtarë dhe simbole të UÇK-së, ata kanë krijuar një atmosferë elektrizuese që në nisje të udhëtimit, duke shfaqur entuziazëm dhe përkrahje të zjarrtë për përfaqësuesen e Kosovës.
Një pjesë e madhe e tyre ndodhen aktualisht në pikën kufitare të Vërmicës, ku fluksi i lartë i automjeteve ka shkaktuar radhë të lehta. Megjithatë, sipas burimeve nga terreni, lëvizja po zhvillohet pa probleme dhe pritjet mbeten të menaxhueshme.
Pjesëmarrja masive e tifozëve nga Shqipëria në këtë sfidë thekson edhe një herë lidhjen e fortë mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit, duke e kthyer këtë ndeshje në një ngjarje me atmosferë festive dhe unitet kombëtar.
