
Në 2 prill, në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, vëmendja globale kthehet te mirëkuptimi dhe përfshirja e personave në spektrin autik. Por përtej sfidave, ka edhe histori që tregojnë një këndvështrim tjetër: autizmi si një mënyrë unike për të parë botën – madje, si një “superfuqi”.
Shumë personazhe të njohur kanë ndarë publikisht përvojat e tyre, duke treguar se si kanë mësuar të bashkëjetojnë me vështirësitë në marrëdhënie, rregullat sociale apo pritshmëritë e shoqërisë. Pikërisht nga këto sfida, ata kanë ndërtuar mënyrën e tyre të veçantë për të punuar, për t’u shprehur dhe për të jetuar.
Aktori legjendar Anthony Hopkins ka zbuluar në moshë të rritur se është me sindromën Asperger, duke e lidhur natyrën e tij të tërhequr me përqendrimin e jashtëzakonshëm në aktrim. Aktivistja Greta Thunberg, e diagnostikuar në adoleshencë, e ka quajtur autizmin një “superfuqi”, që e ndihmon të jetë e drejtpërdrejtë dhe e palëkundur në luftën kundër krizës klimatike.
Edhe këngëtarja Sia ka folur hapur për përkatësinë e saj në spektrin autik, duke treguar për ndjesinë e të qenit “jashtë vendit”, ndërsa Elon Musk e bëri publik diagnozën e tij gjatë një emisioni televiziv, duke u shfaqur si një nga sipërmarrësit më vizionarë të kohës sonë. Ndërkohë, aktori Dan Aykroyd ka treguar se si interesat e tij të veçanta janë kthyer në frymëzim për krijimtarinë artistike.
Këto histori nuk e mohojnë vështirësitë, por tregojnë se dallimet mund të shndërrohen në forcë. Në vend që të shihet si kufizim, autizmi për shumë prej tyre është bërë një identitet që i dallon – dhe që, në disa raste, i ka ndihmuar të ndryshojnë botën.
