Moderatorja Elita Rudi është rikthyer në ekran me sezonin e ri të programit të saj “The Elite Way”. Në episodin e fundit, e ftuar ishte ish-banorja e Big Brother VIP Albania 4, Valbona Mhilli.
Gjatë bisedës, ajo u pyet për situatën që mori vëmendje të madhe brenda shtëpisë së famshme, kur miku i saj i ngushtë, Jozefin Marku, e goditi me shuplakë në fytyrë këngëtarin Gjest.
Valbona theksoi se Jozi është penduar për atë që ndodhi dhe këtë e ka pranuar hapur.
“Jozi ndihet shumë keq për situatën që ka ndodhur dhe absolutisht që e mirëpret dhe ka shumë respekt për Gjestin,” – u shpreh ajo.
Ajo shtoi se pendesën e tij Jozefini e ka shprehur jo vetëm në intervista, por edhe në biseda private.
“Më ka shprehur personalisht, përtej kamerës. E ka dhënë mendimin e tij për mënyrën si është ndjerë për situatën e ndodhur,” tha Valbona.
Në lidhje me raportin e saj me fituesin e këtij edicioni të Big Brother VIP Albania, ajo tha se ka kontakt herë pas here dhe se vazhdojnë të ndjekin njëri-tjetrin në rrjetet sociale.

