Një moment i vetëm, një përqafim i kapur nga kamera gjatë një koncerti të Coldplay në Boston, mjaftoi për të përmbysur jetët e disa personave dhe për të ndezur një stuhi të vërtetë në internet.
Në skenën e regjistruar, Andy Byron, 51 vjeç, asokohe CEO i kompanisë teknologjike Astronomer, shihet në një përqafim të afërt me Kristin Cabot, 53 vjeç, ish-drejtoreshë e burimeve njerëzore dhe njëkohësisht e martuar. Kur kamera i fokusoi, dyshja u përkul për të fshehur fytyrat, por situata mori tjetër drejtim kur Chris Martin, këngëtari i grupit, tha me humor nga skena:
“Ata ose kanë një aferë… ose janë shumë të turpshëm.”
Pas koncertit, të dy dhanë dorëheqje nga kompanitë ku punonin, ndërsa gruaja e Byron, Megan, 50 vjeç, ndryshoi mbiemrin në rrjetet sociale dhe u largua nga shtëpia e tyre në Massachusetts.
Megjithatë, kjo nuk shënoi fundin e martesës. Daily Mail raportoi se çifti Byron është ribashkuar, duke u parë së fundmi në një piknik buzë detit në Maine – të qetë, të buzëqeshur dhe ende me unazat e martesës në gishta. Deri më tani, asnjëri nuk ka paraqitur kërkesë për divorc në shtetet ku jetojnë.
Ndërkohë, Kristin Cabot ka kërkuar divorc nga bashkëshorti i saj, Andrew Cabot, CEO i markës së rumit Privateer. Ai, nga ana tjetër, theksoi se nuk bëhej fjalë për një tradhti:
“Nuk kishte asnjë aferë. Kristin dhe Andy kishin marrëdhënie pune dhe një miqësi të mirë. Përqafimi ishte i papërshtatshëm, por kjo ishte e gjitha. Ajo e pranon përgjegjësinë për këtë.”
Andrew Cabot shtoi gjithashtu se ndarja e tij nga Kristin ishte vendosur përpara koncertit dhe se ai vetë ndodhej në koncert me një tjetër grua, tashmë partnerja e tij. Edhe zëdhënësja e biznesmenit konfirmoi se:
“Vendimi për t’u ndarë ishte marrë përpara koncertit. Nuk do të bëhen komente të mëtejshme.”
Shtëpia e çiftit Byron në Massachusetts qëndron bosh, ndërsa fqinjët shprehen se i shohin rrallë dhe shpesh veçmas. “I përshëndesim si fqinj, por nuk kemi kontakte të afërta,” thonë ata.
Skandali mbetet ende një kujtim i freskët në rrjete sociale, por për Andy dhe Megan Byron duket se ka shpresë për një fillim të ri – larg kamerave dhe syrit publik.

