Princi i Uellsit ka folur hapur për sfidat e shëndetit mendor dhe mënyrat se si përpiqet t’i përballojë ato, duke u bërë thirrje veçanërisht burrave që të kërkojnë ndihmë dhe të flasin për ndjenjat e tyre.
Gjatë një dalje surprizë emisionin e mëngjesit të BBC Radio 1, Princi William mori pjesë në një panel diskutimi për vetëvrasjen tek meshkujt, së bashku me moderatorin Greg James dhe reperin britanik Professor Green.
Ai theksoi se shoqëria ka nevojë për më shumë modele mashkullore që flasin hapur për shëndetin mendor, në mënyrë që personat në krizë të ndihen më pak të vetmuar.
“Mësoni ta doni veten dhe ta kuptoni veten,” u shpreh William. “Unë marr kohë për të kuptuar emocionet e mia dhe pse ndihem ashtu si ndihem. Është e rëndësishme të kontrollosh veten herë pas here.”
Princi shtoi se një krizë e fortë psikologjike mund të jetë e përkohshme dhe se ndihma është thelbësore për ta kaluar atë.
Duke folur për mënyrën se si përballet me vështirësitë emocionale, William tha se e sheh shëndetin mendor si një “kuti mjetesh” që pasurohet gjatë jetës.
“Askush nuk i ka të gjitha mjetet për çdo situatë. Unë përpiqem të gjej mjete të reja që mund të më ndihmojnë kur kam nevojë,” tha ai, duke theksuar se është normale të kërkosh mbështetje nga miqtë ose profesionistët.
Përvoja personale dhe angazhimi kundër vetëvrasjes
Princi William ka bërë luftën kundër vetëvrasjes veçanërisht tek burrat një nga prioritetet e tij kryesore. Ai kujtoi se gjatë kohës kur punonte si pilot i ambulancës ajrore në East Anglia, u përball drejtpërdrejt me tragjedi të tilla dhe ndikimin e tyre shkatërrues mbi familjet.
Ai është gjithashtu pjesë e organizatës James’ Place, e cila ofron mbështetje për personat në krizë dhe synon të largojë mendimet vetëvrasëse përmes ndërhyrjes së hershme.
Vitin e kaluar, në Ditën Botërore të Parandalimit të Vetëvrasjes, William realizoi një film dokumentar me një grua që kishte humbur bashkëshortin nga vetëvrasja. Gjatë intervistës në shtëpinë e saj në Uells, ai u prek thellë nga rrëfimi i saj dhe mezi mbajti lotët, duke i shtrirë dorën për ta ngushëlluar.
Gruaja tha se do të donte t’i kishte thënë bashkëshortit të saj se “do të kishin qenë mirë”, duke nënvizuar dhimbjen e familjeve që mbeten pas.
