Një lajm i hidhur ka tronditur familjen e këngëtares shqiptare Ganimete Abazi, e njohur për publikun si Ganja. Nipi i saj, Lorik Abazi, vetëm 22 vjeç, humbi jetën në një sulm me thikë në Croydon, Londër, duke lënë pas një boshllëk të madh në zemrat e të afërmve.
Në një postim emocional në Instagram, Ganja shprehu dhimbjen e saj të thellë dhe dashurinë e pakushtëzuar për Lorikun:
“Jeta shpeshherë është e padrejtë dhe të godet aty ku dhemb më së shumti. Pusho në paqe, nipi jem, shpirti jem… ne do të jetojmë me kujtimet dhe dashurinë që na dhurove. Ahhh sa e vështirë është të themi lamtumirë, Loriku ynë.”
View this post on Instagram
Ngjarja ndodhi rreth orës 01:15 të mëngjesit të së dielës në zonën e Valley Retail Park. Sipas policisë britanike, Lorik Abazi u qëllua me thikë së bashku me dy të rinj të tjerë. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve, ai nuk mundi t’i mbijetonte plagëve.
Dy të rinjtë e tjerë, të moshës 21 vjeçare, mbetën të plagosur; njëri prej tyre ndodhet në gjendje kritike. Deri tani, shtatë persona janë arrestuar për ngjarjen, përfshirë dy vajza 25-vjeçare dhe një djalë 28-vjeçar, të cilët ndodhen në paraburgim. Hetuesit po punojnë për të zbardhur motivet dhe po kërkojnë çdo informacion nga qytetarët dhe kamerat e sigurisë.
Familja Abazi është e shokuar nga kjo humbje e parakohshme. Loriku përshkruhet si një djalë inteligjent, me ëndrra të mëdha për të ardhmen, dhe lajmi për vdekjen e tij ka lënë një dhimbje të thellë në zemrat e të gjithë familjes dhe Ganimetes.
