KreuCelebrity

Ekskluzive për Bordo, një tjetër aktor lë Portokallinë për Fermën!

Sezoni i tretë i Ferma VIP po pritet me shumë kureshtje dhe padurim nga publiku. Reality show-u, i cili kombinon sfidat fizike me jetën në komunitet dhe dinamikat mes personazheve të njohur, pritet të rikthehet në ekran gjatë muajit mars, duke sjellë surpriza, emocione dhe përplasje.

Emrat e konkurrentëve janë gjithmonë elementi më intrigues për publikun, pasi përmes tyre krijohen aleancat, rivalitetet dhe momentet që më pas dominojnë bisedat online dhe mediat rozë.

Revista Bordo zbuloi ekskluzivisht se banori i parë i konfirmuar është aktori i njohur i Portokalli, Romir Zalla, i cili njihet jo vetëm për rolet humoristike në televizion, por edhe për angazhimet e tij në teatër dhe film.

Së fundmi, Bordo ka konfirmuar edhe një tjetër emër që vjen nga i njëjti kast. Bëhet fjalë për Akil Varfi, një aktor i ri në moshë, por tashmë i njohur për publikun, i cili ka fituar vëmendje si në skenë ashtu edhe në projekte filmike. Ai është gjithashtu pjesë e filmit më të ri shqiptar Loja e fundit, çka e bën pjesëmarrjen e tij në reality show edhe më interesante për fansat.

Burime pranë revistës bëjnë me dije se gjatë mbledhjes së parë të kastit të Portokallisë për sezonin e ri, Akili ka deklaruar se nuk do të jetë pjesë e spektaklit të humorit, pikërisht sepse do t’i bashkohet Ferma VIP.