
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar. 22-vjeçari Lorik Abazi nga Kosova ka humbur jetën pas një sulmi me thikë në Londër. I riu ishte nipi i këngëtares së njohur shqiptare Ganimete Abazi, e njohur me emrin artistik Ganja.
Sipas mediave britanike, përfshirë BBC, ngjarja ndodhi të dielën në zonën e Croydon. Abazi u plagos me thikë gjatë një përleshjeje dhe, si pasojë e plagëve të marra, ndërroi jetë. Rrethanat e plota të incidentit mbeten ende të paqarta, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Policia britanike ka arrestuar dy gra 25-vjeçare dhe një burrë 28-vjeçar si të dyshuar për vrasjen; njëra prej grave është liruar më pas me kusht. Gjithashtu, dy të rinj 21-vjeçarë u gjetën me plagë të shkaktuara nga mjete prerëse dhe u arrestuan nën dyshimin për përfshirje në përleshje. Njëri prej tyre ndodhet në spital me lëndime që mund të jenë kërcënuese për jetën, ndërsa tjetri është marrë në paraburgim pasi është trajtuar.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që çdo informacion, pamje apo filmim që mund të ndihmojë hetimin, të dorëzohet pranë policisë.
Lajmi për vdekjen e të riut ka sjellë reagime të shumta nga familjarë dhe miq. Në një reagim në rrjetet sociale, familja e tij shkroi:
“Loriku ishte një i ri i kujdesshëm, i zgjuar dhe me një sens të mirë humori, me gjithë të ardhmen përpara. Ne, prindërit e tij, vëllai, e dashura, gjyshërit dhe familja e gjerë, si dhe miqtë, e donim shumë. Një dritë është shuar në jetët tona dhe jemi të shkatërruar përtej fjalëve nga humbja e tij. Ju lutemi të respektoni privatësinë tonë në këtë kohë.”
Edhe këngëtarja Ganimete Abazi reagoi me një mesazh prekës në Instagram, duke shprehur dhimbjen për humbjen e nipit të saj:
“Ahh, sa e vështirë është të të them lamtumirë, Loriku ynë. Jeta shpesh është e padrejtë dhe godet aty ku dhemb më së shumti. Pusho në paqe, nipi im, shpirti im. Do të jetojmë me dhimbjen për ty, me kujtimet dhe dashurinë që na dhe.”
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë, ndërsa familja dhe të afërmit përballen me një humbje të parakohshme dhe të dhimbshme.
