KreuCelebrity

Fatlume Bunjaku, shqiptarja që na bëri krenarë në Berlin!

Një emër i ri shqiptar po fiton me shpejtësi vëmendjen e industrisë europiane të filmit duke na bërë të gjithëve krenarë.  Aktorja e re Fatlume Bunjaku është shpallur një nga 10 talentet më premtuese të kontinentit për vitin 2026, duke u nderuar me titullin prestigjioz European Shooting Star në kuadër të Berlin International Film Festival. Ky vlerësim konsiderohet si një nga trampolinat më të forta për karrierë ndërkombëtare, pasi prezanton aktorët e rinj para producentëve, regjisorëve dhe mediave më të rëndësishme të industrisë.

Bunjaku u përzgjodh për interpretimin e saj në filmin Hana, me regji të Ujkan Hysaj, rol që i siguroi vlerësime për ndjeshmërinë dhe forcën artistike. Përzgjedhja e saj u bë në kuadër të programit me po të njëjtin emër European Shooting Stars, një iniciativë e organizatës European Film Promotion, e cila çdo vit identifikon aktorët që pritet të dominojnë kinemanë europiane në të ardhmen.

Nominimi i saj u propozua nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, duke e bërë Bunjakun përfaqësuesen zyrtare të Shqipërisë në këtë program elitë. Ekspertët e industrisë e konsiderojnë këtë sukses si një hap vendimtar drejt projekteve të mëdha ndërkombëtare dhe një sinjal se një yll i ri shqiptar po lind në kinemanë europiane.

Fatlume Bunjaku, shqiptarja që na bëri krenarë në Berlin!

Në të njëjtin festival, vëmendje të madhe mori edhe këngëtarja me origjinë shqiptare, por me famë botërore Dua Lipa, e cila shkëlqeu në tapetin e kuq dhe u bë një nga figurat më të fotografuara të eventit, duke tërhequr interes të madh mediatik.

Prania e dy emrave shqiptarë një superyll global dhe një aktore në ngjitje e vendosi Shqipërinë në qendër të vëmendjes së këtij edicioni të Berlinales.