KreuCelebrity

Linda Shala, gruaja që s’di të ndalet

Nga Brunilda Gorovelli

Linda Shala është një grua që ka jetuar dhe ndërtuar rrugëtimin e saj paralelisht me historinë e Kosovës. Nga gazetaria dhe televizioni, te sipërmarrja dhe menaxhimi, ajo ka ditur të qëndrojë e fortë në kohë sfidash, duke e kthyer çdo rrethanë në mundësi. Në këtë intervistë vjen me një rrëfim për qëndrueshmërinë, guximin dhe artin e të jetuarit me pasion.

Linda si veprimtare keni lënë gjurmë të rëndësishme në historinë dhe jetën sociale e ekonomike të Kosovës. Cili është momenti kyç në rrugëtimin tuaj?

Jam grua shqiptare e lindur në Ballkan, kam jetuar mes dy shekujve e mes dy mileniumeve. Së pari në një sistem socialist e komunist, pastaj nën qeverisjen e UNMIK-ut e EULEX-it, për të përjetuar edhe shpalljen dhe ndërtimin e shtetësisë së Kosovës. Kam jetuar gjithmonë në të njëjtin vend, por ai vend ka ndryshuar shumë emra e shumë valuta. Jam shkolluar, martuar, kam lindur e rritur fëmijën në rrethana shumë specifike, përjetuar luftë, të qenurit refugjat, tranzicionin e pasluftës, kam punuar në institucion edhe në biznesin privat, kam patur poste por, kam funksionuar edhe si tregtare, këshilltare, aktiviste e shoqërisë civile, bijë, bashkëshorte dhe nënë. Nga fleta e bardhë dhe lapsi kam kaluar në bisedë me Al... Jam lindur si gjenerata X, jam edukuar nga Silent Generation, kam edukuar Millennials, sot rrugëtoj me Alpha gjeneratën... E kam shumë të vështirë ta them cili moment ka qenë momenti kyç i jetës sime. Më kanë përkufizuar shumë momente nga rrugëtimi im jetësor me shumë sfida dhe momente të bukura. Por e them me plot gojë, jeta është e bukur.

Në punën tuaj si producente ekzekutive në televizionin e Prishtinës, cilën kujtoni si sfidën më të madhe?

Sfida e madhe ishte aplikimi i krejt asaj që kam mësuar e si jam edukuar gjer atëherë, pa i lejuar rrethanat që të më deformojnë profesionalizmin dhe vizionin. Vendosja e profesionalizmit si diçka ultimative në vendin e pasluftës, ku kishte rrezik që disa merita të tjera ta mbizotërojnë aftësinë dhe diturinë. Pastaj, vinte zgjedhja e stafit në një shtet ku për shumë vite nuk kishte patur shkollim të denjë. Pasonte edhe vendosja e barazisë gjinore, jo lehtë e kapshme për mentalitetin kosovar, sidomos kur femra vendos e jep urdhra. Kisha detyrë ta informoja drejt një popull në një moment shumë optimist edhe ta argëtoja fort pas një periudhe të gjatë të vuajtjes; të fus në një televizion tradicional e konservativ dozën e duhur të komercialitetit, duke mos bastarduar qëllimet e televizionit publik. Dhe, në fund, kisha detyrim t'i implementoj të gjitha metodat e reja që stafi i huaj i solli në Kosovë, e njëkohësisht t'ia bëj me dije që ne nuk jemi të paditur, që nuk jemi pa traditë, që nuk jemi pa rrënjë e pa modernizëm.

Gazetaria dukej se do të ishte profesioni juaj, çfarë ndodhi që e ndryshuat kah? Iu drejtuat biznesit?

Gjithë jetën kam qenë e rrethuar me tema ekonomike, nga babai, një ndër ekonomistët më të shquar të kohës, si studente në Fakultetin Ekonomik, si pionere në biznes privat, me kolegët në biznes nëpër shumë takime, mbledhje, fushata, programe... Por, nuk mund t'i ikë përshtypjes që gjithë kohën kam ikur në një pjesë shumë të rëndësishme të qenies sime – gazetare\menaxhere Puna në TV, në revista, puna në modë me shtëpinë "Linea Bianca", puna në Talk Show, pastaj angazhimi në organizimin e festivaleve "Show Fest" e "Video Fest", gjithashtu duke kontribuar në programet artistike të RTP-së dhe RTK-së... Pastaj edhe gjithë dashuria ime ndaj sportit, basketbollit në veçanti... Shumë e vështirë t'ia gjej vetes një emërtim të vetëm. Një gjë e di sigurt, që sot edhe arti më i madh, vështirë ekziston pa ekonomi e biznes, kështu që e marr pasuri të madhe atë dituri ekonomike që ma ka lënë familja dhe ma ka mësuar përvoja në biznes. Kjo dituri më ka mundësuar që më lehtë e pa stres material ta shpreh anën time kreative jo vetëm në biznes, e që mua më ka plotësuar shumë. Do ta veçoja emërtimin QËNDRUSHMËRIA si nocion ekonomik, po edhe si virtyt njerëzor.

Tenxheret e tamlit, çfarë ndjesie ju përcillte teksa ju i shisnit apo gjendeshit përpara një produkti fizik si tenxherja, ndërsa ishit mësuar me produktin mediatik?

Do të ndërlidhem me pyetjen paraprake. Kur njeriu ka në vete shpirt krijues, ai atëherë do të shprehë kreativitet edhe në shitjen e tenxhereve të tamlit. Nëse do dhe di, mund të bëhesh edhe

artist i shitjes, edhe dizenjator i vitrinës, edhe kreator i një koncepti, edhe artist i komunikimit me njerëz... Fillimet e ndërmarrësisë ishin thuajse traumatike, kur një të reje që kishte pasion gazetarinë i imponohet mbijetesa dhe shitja e tenxhereve të tamlit është e dhimbshme, por unë edhe ato i kam shitur me pasion dhe jam mundur që të jem sa më kreative në shitjen e tyre. Bukurinë e jetës mund ta gjeni kudo nëse bëheni artist i jetës suaj.

Arsyeja e futjes në biznes ishte mbyllja e televizionit ku punonit apo kushtet në të cilat u gjendët ju dhe familja juaj?

Arsyeja e parë ishte mbyllja e dhunshme e Televizionit të Prishtinës ku unë punoja si gazetare. Situata e atëhershme në Kosovë na solli familjen në një gjendje të vështirë ekonomike, ishte në pyetje mbijetesa. Por, sot kur e mendoj, futja ime në biznes do të bëhej gjithsesi por pak më vonë, jo dhunshëm, por natyrshëm. Biznesi im i parë ishte një dyqan i produkteve të kozmetikës që e nisëm me vëllain tim. E quajtëm kozmetika “Linda”, aty unë gjeta hapësirën që të shpreh kreativitetin tim dhe të mësoj të gjitha rregullat por edhe deformimet e tregut. Të mësoj kontabilitetin, marketingun, komunikimin me klientët..., hyra në një botë tjetër që nuk e kisha menduar më parë, pak e trembur por me vendosmërinë që do t’ia dal. Nga dyqani i vogël i kozmetikës me kalimin e viteve arrita që të menaxhoj kompaninë time me afro 100 të punësuar. Mbi 30 vite në biznese të ndryshme kam kuptuar se fuqizimi ekonomik i individit, i gruas po edhe i shoqërisë është instrumenti më i fuqishëm që emancipon dhe që krijon parakushte për zhvillimin e shoqërisë dhe mirëqenien e tyre në të gjitha aspektet.

Sa personalitete i ke marrë në studio duke iu shkuar në shtëpi?

Ky është rasti me kryeministrin e sotëm të Kosovës z. Albin Kurtin. Ai kishte dalë nga burgu në Serbi dhe kishte arritur në Prishtinë në banesën e tij. Unë në atë kohë isha producente ekzekutive në Radio Televizionin e Kosovës dhe e kuptoja nevojën që ai t’i adresohej opinionit. Dhe normalisht në asnjë moment nuk hezitova, shkova dhe e mora në banesën e tij për në studion televizive. Profesionalizmi, korrektësia dhe aftësitë komunikuese t’i hapin të gjitha dyert. Ishte ky një rast i veçantë, në përgjithësi kam gëzuar një respekt si gazetare, por edhe si ndërmarrëse dhe korrektësi në trajtim nga personalitetet në shoqërinë tonë.

Gruaja e fuqishme apo e suksesshme shqiptare për ju?

Detyrimet e gruas shqiptare sot janë tejet të komplikuara. Të jetë sa shqiptare po aq kosmopolitane, të jetë sa moderne aq tradicionale, të jetë sa punëtore aq edhe egoiste për energjinë e vet, t'i përmbushë kërkesat që ia ka dhënë shoqëria, por mos të lejojë që ajo shoqëri ta eksploatojë, të jetë bashkëshorte e nënë e përkushtuar, por jo rob i familjes... Ka qindra e mijëra baraspesha që duhet t'i perfeksionojë gjatë jetës... E, këto baraspesha nuk ia kanë mësuar gjeneratës sime, përkundrazi, na kanë mësuar: jep sa më shumë, dëshmohu sa më shumë, ji në shërbim, se sa shërben - aq vlen. Kur shërben shumë mund ta humbasësh fuqinë, mund të quhesh shërbëtore e jo grua e fuqishme. Në anën tjetër, pa qenë në shërbim të dikujt apo diçkaje, ju humbisni esencën tuaj e të qenit njeri. Pra, gruaja që ka arritur ta gjejë këtë baraspeshë, e me të edhe paqen e saj - mund të quhet grua e suksesshme shqiptare. Fatmirësisht unë njoh shumë të tilla.

Linda fëmijë, fotot e tua, kujtimet janë të lidhura më shumë me Mitrovicën apo Prishtinën?

Unë kam jetuar në Prishtinë, por me Mitrovicën me lidh origjina e prindërve të mi dhe kohët e bukura të pushimeve shkollore që i kam kaluar te gjyshërit në Mitrovicë. Lidhja me Mitrovicën, qytetin e Minatorëve, është forcuar edhe me faktin se babi im Aiz Abrshi ka qenë drejtor i Kombinatit Trepça në Mitrovicë, gjatë kohës së grevës së Minatorëve të vitit 1989, u burgos bashkë me ta dhe qëndroi 14 muaj në burgun e Mitrovicës. Kjo pjesë e historisë sonë në përpjekjen për pavarësi të Kosovës u bë pjesë e jetës sonë dhe lidhjes së afërt me minatorët e Trepçës dhe qytetin e Mitrovicës. Dhe sigurisht natyrshëm në vitin 2003, unë marr përsipër menaxhimin e Klubit të Basketbollit Trepça të Mitrovicës, si gruaja e parë në Kosovë e angazhuar në udhëheqjen e një klubi të meshkujve. Megjithatë, Prishtina është qyteti im ku jam rritur, kam kryer shkollimin, fakultetin, ku kam shtëpinë time, familjen time, miqtë e mi më të dashur, jetën time. Sa herë kthehem nga ndonjë udhëtim, ndjej gëzim kur shoh Prishtinën time.

Me cilin nga familjarët keni raporte të ngushta?

Unë kam një vëlla, Gazmend Abrashin, është një vit më i vogël se unë, jemi rritur dhe zhvilluar së bashku falë afërsisë në moshë. E kemi filluar së bashku rrugëtimin tonë në biznes, është një punëtor i madh dhe shumë i suksesshëm. Kemi një lidhje të veçantë, që e kemi kultivuar ndër vite me kujdes dhe dashuri. Është shumë i rëndësishëm në jetën time dhe falë raportit tonë të ngushtë, sfidat e jetës i kemi përballuar më lehtë së bashku. E kam thënë që vëllain tim Menen si e quaj unë, e kam dhuratën më të bukur nga prindërit.

Djali, mrekullia juaj, Roberti… si ndjeheni si nënë e tij?

Roberti tashmë mbush 32 vite, është ekspert i sigurisë kibernetike dhe AI iniciativave të sigurisë. Ka përfunduar studimet master në Georgetown University në Washington. Është një ndërmarrës i suksesshëm në këtë lëmi dhe së fundi ka filluar të ligjërojë në Rochester University of Technology në Prishtinë. Rrugëtimi i tij ishte shumë interesant për ne si prindër dhe familje, sepse zgjodhi një fushë për të cilën ne në fillim nuk kishim edhe shumë njohuri. Ishte zgjedhja e tij që ne e mbështetëm. Ajo që mendoj që e ka mësuar e trashëguar nga familja është kultura e punës dhe përkushtimi në punë. Është i kujdesshëm për familjen, shoqërinë dhe sigurisht është biri im, mrekullia ime i cili më bën krenare. Roberti është martuar, tashmë familja jonë është plotësuar edhe me Andrrën. Unë dhe bashkëshorti im e kemi pranuar si vajzën tonë që nuk e patëm. Është një vajzë fantastike që e duam shumë.

Për të gjithë ata që ende nuk e dinë si jeni njohur ju dhe bashkëshorti juaj?

Unë dhe Alberti jemi bashkë 42 vite, sivjet kremtojmë 35-vjetorin e martesës. Jemi njoftuar në Mitrovicë në një mbrëmje argëtuese dhe shumë shpejt të dashuruar, e kemi kuptuar se jemi për njëri-tjetrin. Sekreti ynë mendoj se qëndron në faktin që e kemi pranuar njëri-tjetrin ashtu si jemi, pa tendencë që ta ndryshojmë njëri-tjetrin. Albertin e kam pas përkrahës të fuqishëm në gjithë rrugëtimin tim. Më ka mbështetur në të gjitha aspektet, ka pasur respekt për angazhimet e mia dhe është munduar dhe vazhdon të m'i lehtësojë obligimet aty ku ka hapësirë. Është shumë e vlefshme kur partnerin e ke edhe shok, edhe bashkudhëtar besnik në kohëra të mira, por edhe në ato të vështira. E konsideroj veten me fat në këtë aspekt.

Linda Shala, gruaja që s’di të ndalet

Çfarë e mban një martesë të fortë dhe të qëndrueshme me kalimin e viteve?

Gjeneratën time e kanë mësuar që në martesë hyhet nga dashuria. Mbase ishim gjeneratë e ledhatuar në këtë aspekt! Edhe shumë para nesh, e edhe në shumicën e rasteve sot, llogaritjet martesore janë bërë thuajse të zakonshme. Fatkeqësisht, këto llogaritje kohët e fundit nuk po dalin të sakta. Martesa si institucion është në krizë, e me të edhe lumturia bashkëshortore. Ndoshta është gabimi pse martesa identifikohet qoftë me dashurinë, qoftë me interesin. Martesa duhet të identifikohet me martesën! Martohuni vetëm dhe vetëm nëse e doni jetën bashkëshortore, e cila paraqet mijëra cikërrime e detyrime që zgjasin ditë, vjet, dekada... dhe që kërkon përkushtim dhe dedikim. Kur doni këtë jetë, kur doni me të vërtetë të ndani me dikë çdo gjë në jetë, ju gjeni mënyrën që të funksiononi dhe sakrifikoni për atë bashkësi.