KreuCelebrity

Flora Nikolla - Rrëfimi i një gruaje që e jeton gazetarinë si mision

Nga Brunilda Gorovelli

Flora Nikolla është një nga ato gra që e kanë ndërtuar jetën mbi fjalën, etikën dhe dashurinë për vendin. E rritur mes korifenjve të letrave shqipe dhe e formuar në një familje ku gazetaria ishte mision, ajo e nisi rrugëtimin e saj në vitet ’90 me një busull të qartë: të vërtetën. Sot, përtej projekteve madhore si “Albanian Excellence”, ajo mbetet një grua që beson te mirësia, te forca e trashëgimisë familjare dhe te vlera e punës së ndershme. Në këtë intervistë për “Bordo”, Flora Nikolla rrëfen fillesat, prindërit, dashurinë për gazetarinë dhe pasionin që e mban ende në lëvizje.

Si e kujtoni fillimin tuaj në gazetari në vitet ’90? Të jeni gazetare ndikoi edhe babai juaj?

Të qenit gazetare është të sjellësh zërin e të tjerëve me fjalë të qarta, të ndjekësh të vërtetën me kurajë dhe të ndriçosh rrugët që të tjerët i kanë harruar. Babai im thoshte ‘gazetaria është një furrë e madhe që të djeg çdo gjë dhe në fund të le vetëm pasionin’. De facto e kam nisur gazetarinë që fëmijë sepse leksionet e dijet e mia për këtë profesion, i kam marrë duke dëgjuar mjeshtër të mëdhenj të zanatit të të shkruarit në Shqipëri, si Petro Marko, Dritëro Agolli, Shefqet Musaraj, Sabri Godo, Todi Lubonja, Vangjush Gambeta, e kur shkoja në Pogradec në behar edhe nga Lasgush Poradeci. Unë isha një simbiozë me babain tim e doja të rrija që e vogël pa kushte më të dhe me miqtë e tij, që njëherazi ishin bërë pjesë e familjes sonë. Unë isha arrakate, doja të isha e lirë në lojërat e mia, por sapo kuptoja që në shtëpi do të shtrohej një darkë apo do të shkonim në një nga shtëpitë e miqve të babait tim, apo qoftë edhe në një piknik që në kohën kur im atë punonte në gazetën “Zëri i Popullit”, më ishte bërë ritual i zakonshëm, harroja çdo gjë e me padurim prisja orën e madhe. Qëndrimi me orë të tëra me këta korifenj të zanatit të të shkruarit dhe vëmendja ime absolute në këtë #auditor# më mësoi konceptimin, mënyrën e të menduarit, indirekt unë mësova këtë zanat që e konsideroj idealin më të bukur të jetës sime, që e ruajta si gjënë më të çmuar e të cilin asnjëherë as e shita dhe as bëra biznes më të. Në këtë kuptim pas viteve ’90 kur e nisa këtë udhë, isha e formuar në etikë profesionale, kisha kuptuar nga babai im që drejtoi për 25 vite një nga revistat më të vështira për atë kohë, siç ishte revista “Hosteni”, se sa rëndësi kishte e vërteta dhe saktësia, sa vlerë kishte verifikimi i fakteve para publikimit. (Im atë thoshte, se gazetari i zot gjithnjë duhet të ketë 3 burime, 2 ti botojë dhe një ta ketë mënjanë). Kujtoj po ashtu, një konkurs të realizuar në vitin ’90 në revistën “Shqipëria sot”, fitova dhe u emërova redaktore. Por, cili ishte kryeredaktori im? Arqile Aleksi, ish-drejtor i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, mik i tim ati, një nga ata burrat simpatikë e plot mend të asaj kohe që unë gjithmonë i ulesha pranë gjunjëve, se doja t’i kisha të gjithë përballë e t’i shihja të gjithë çka bisedonin. Bashkëpunimi me shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, rikthimi sërish në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, ku krijova departamentin e Kulturës dhe Sociales në ATSH në vitin 1998, një eksperiencë e jashtëzakonshme, ku janë formuar gazetarë shumë të mirë. Megjithatë, asnjëherë nuk iu ndava terrenit, duke ndjekur hap pas hapi ngjarjet e rënda të vitit 1997, apo në luftën e Kosovës që e kam ndjekur nisje-mbarim dëbimin më të madh të shqiptarëve në një fundshekulli … Por kam raportuar direkt dhe ngjarjet e luftës qytetare në Maqedoninë e Veriut në vitin 2001, një guxim sërish i marrë, kur mendoj se isha përfaqësuese e agjencisë shqiptare në një vend ku po luftoheshin shqiptarët.

Këshilla që keni marrë nga babai juaj që e zbatoni çdo ditë?

Niko Nikolla, ishte një idealist i madh dhe një njeri me zemër të madhe, me një zgjuarsi që rrallë pak e kam hasur në këtë jetë dhe këtu nuk flas si për babain tim, por si koleg, pasi sot kam të drejtë morale dhe profesionale, ta konsideroj të tillë. Postulatet e tij për gazetarinë më ndjekin në çdo punë që bëj, duke i patur si mbrojtëse këtu në Shqipërinë tonë që nuk është aspak e lehtë të punosh… “Gazetari duhet të jetë me duar të pastra, mendje të kthjellët dhe zemër të ngrohtë”, ose “Në një profesion duhet të dish kur të hysh dhe të dish kur të dalësh”. Shpesh më thoshte: “Gazetari duhet të jetë patriot. Gazetari duhet të dojë vendin e tij, nuk mund të jetë gazetar i zoti ai që nuk di të dojë vendin e tij” apo “Gazetari duhet të ketë biografi…, po nuk pati biografi në profesionin e tij, ai nuk mund të quhet gazetar”.

Po nga mamaja, çfarë keni marrë?

Them se kam marrë nga nëna ime, dëshirën e madhe për të ndihmuar dhe për të mbështetur njerëzit kur janë në momente të vështira. Por, edhe nderimin e respektin që u bëj njerëzve me “Albanian Excellence”. Them se një pjesë është dhe shpirti i madh që kishte Margarita Pano, e cila si mua ashtu edhe motrën time na mësoi të ishim të lira, të jetonim pa diktat, pa i bërë kurrsesi keq të tjerëve, parim bazë i familjes sonë, gjë e ndjekim në çdo hap dhe sot.

Si lindi ideja e krijimit të “Albanian Excellence”?

Lindi vetiu në vitin 2012, kur do të festohej 100-vjetori i themelimit të shtetit shqiptar dhe kur të gjithëve na kishte kapur euforia e kësaj ngjarje. Mendoja të hapja një cikël me intervista me shqiptarët e suksesit në botë, dukej se askush nuk e kthente vëmendjen nga ata. Në atë kohë kishte vetëm disa intervista sporadike në shtyp dhe kaq. Në këtë kohë mendova se seriozisht kishte ardhur koha të krijoja diçka timen e ta rrisja vetë. Kështu lindi “Albanian Excellence”, sigurisht mbi një strukturë të qartë mendimi që ishte, realizimi i një libri me intervista me shqiptarët e suksesit kudo janë, promovimi i librit në një mbrëmje Gala, shoqëruar me një lëvizje shoqërore të organizuar nga vetë historitë e suksesit në vendin e tyre. U realizua kështu mbrëmja e parë Gala në Tiranë, më 23 nëntor 2012, 100 histori suksesi në 100-vjetorin e Shqipërisë. Më pas do të botohej libri “Zonjat shqiptare në Nju-Jork", 2016, i cili do të promovohej në Manhattan, Nju-Jork, me prezencën e Presidentit të asaj kohe të ndjerit, zotit Bujar Nishani, ku u nënshkrua dhe memorandumi “Të qenit grua në shekullin XXI”, më pas me siglën e “Albanian Excellence” do të botohej libri “121 histori suksesi në 121 foto”, promovuar në Presidencën shqiptare dhe në të gjitha trojet kombëtare edhe me një ekspozitë me 121 foto e zonjave të suksesit. E kështu kemi vijuar me ideimin dhe realizimin e “Lider në kohë pandemie”, “Hero Covid 19”, shoqëruar sigurisht me botimin e një libri me intervista si dhe mbrëmje Gala të nderimit.

Cili është suksesi më domethënës i kësaj nisme deri tani?

Është shumë e shkurtër kjo përgjigje por shumë domethënëse, krijimi i një modeli të ri në shoqërinë shqiptare, emancipimi përmes suksesit të shoqërisë, dhënia e më të mirës së kombit tonë. Gazetaria ime tani është bërë një botë e madhe, brenda së cilës, unë ideoj, ndërtoj, realizoj nga A-ja deri te Zh-ja… dhe kjo falë asaj shkolle që kam mësuar nga fëmijëria ime e në çdo minutë të punës sime.

Çfarë projektesh të reja po përgatit “Albanian Excellence”?

Viti 2026, do të jetë viti i Zonjave të suksesit shqiptar, sepse pas një pune me sukses në 10 vite nga nënshkrimi i Memorandumit, “Të qenit grua në shekullin e XXI”, në Nju-Jork e pas zbatimit të tij korrekt, ka ardhur momenti të krijohet një klub vlerash të vërteta me zonjat e suksesit kudo janë në botë. Në këtë kuadër është përcaktuar një kalendar i larmishëm me aktivitete për këtë klub, i cili jam shumë e sigurt që nuk do të jetë fasadë, por një kontribut real i zonjave të ekselencës shqiptare në ndihmë të të shumë andrallave e zhgënjimeve që shqiptarët kanë sot. Por viti 2026, është edhe viti i Bienales së Katërt Ndërkombëtar të Karikaturës Niko Nikolla, Bienale, e cila për fat të mirë e futi Shqipërinë për herë të parë në vitin 2020 në hartën e karikaturës botërore. Këtë vit, ky aktivitet do të zhvillohet në fund të tetorit në qytetin e Korçës, një qytet me një kulturë të madhe e mikpritje të ngrohtë, sikundër u tregua edhe në dhjetor të vitit të kaluar kur në këtë qytet organizuam me siglën e “Albanian Excellence”, me shumë sukses, Konkursin e Tretë Mbarëkombëtar të Letërsisë se Humorit, Niko Nikolla. Nga të gjitha gjasat e mesazhet që kam marrë në këto vite, ndihem mirë se të gjithë artistët në botë, përgëzojnë “Albanian Excellence”, veçanërisht për mënyrën glaumour të nderimit dhe formën e organizimit, gjë që më shtyn të mendoj që edhe në këtë Bienale, numri i shteteve që do të prezantojnë punët e tyre enkas për Shqipërinë, do ta kalojë numrin 100.

Sa e vështirë është të jeni grua drejtuese në media dhe projekte të mëdha?

Kësaj pyetjeje do t’i përgjigjem sërish me një shprehje të Niko Nikollës, në botë ka tre lloj njerëzish të mirë, të këqij dhe gazetarë…, unë mendoj se hyj te gazetarët dhe ata të vërtetët që përballë punës, nuk merr parasysh asgjë që mund të dalë përpara. Shkurt do ju tregoj një ndodhi të fortë për gjithkënd që ndodhet përballë ikjes së prindërit. Kur Niko Nikolla, ishte në koma, një natë të ftohtë e plot shi, fund dhjetori i vitit 2005, trokita në derën e drejtorit të ATSH-së në atë kohë, Edi Paloka. Sigurisht që ishim shokë, por gjithnjë kam ditur të ndaj jetën reale me profesionin, ndaj doja ta pyesja nëse mund të shkruaja lajmin e ikjes së babait tim, kur ai të mbyllte sytë, vetë unë. Mëngjesin e 4 janarit 2006, unë isha në tavolinën time të punës në ATSH, duke shkruar lajmin e ikjes së atit tim, krejt e ftohtë pavarësisht se zemra më kullonte lot. Doja që shkrimi i ikjes së atit tim, të ishte perfekt, pa asnjë gabim, pa asnjë lajthitje si i quante të pakorrektat e shkrimeve, ndoshta doja t’i tregoja se unë kisha plotësuar një premtim që i kisha dhënë. E tregova këtë ngjarje njerëzore, se kam qenë e jam e fortë përballë çdo vështirësie.

Çfarë do të donit të mbetej pas emrit Flora Nikolla?

Do të desha të më kujtonin për pasionin, dashurinë ideale që pata për të ndërtuar një gazetari të mirë në Shqipëri, me parime dhe etikë, se punova shumë të ndërtoja një model të ri në shoqërinë tonë me “Albanian Excellence” dhe se e desha në asht vendin tim.

Çfarë përfaqëson Pogradeci për ju sot?

Pogradeci për mua është dashuri, por ama Pogradeci i fëmijërisë sime! Ky i sotmi është një konglomerat ngjyrash të pazakonta që nuk kanë të bëjmë fare me Pogradecin tim!!! Kur shkoj, shijoj pafundësinë e ujit të liqenit tim, dritën e mirësinë e asaj mase të pafund që ta bën shpirtin poezi dhe të mirë.