Një ngjarje e rëndë ka tronditur një nga lagjet më të njohura të Los Anxheles, ku një grua është arrestuar pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri drejt shtëpisë së këngëtares së njohur Rihanna në Beverly Hills gjatë pasdites së së dielës, më 8 mars.
Sipas departamentit të policisë së Los Anxhelos, salla operative iu përgjigj një raportimi për “të shtëna me armë” rreth orës 13:15 sipas orës lokale. Oficerët mbërritën në vendngjarje dhe arrestuan një të dyshuar 30-vjeçare, e cila u ndalua pa incidente. Në vendngjarje u sekuestrua edhe arma e përdorur.
Autoritetet konfirmuan se nuk pati të lënduar nga incidenti. Megjithatë, një nga plumbat dyshohet se ka depërtuar në murin e rezidencës së artistes.

Sipas raportimeve, e dyshuara ka qëlluar disa herë nga brenda automjetit të saj, një makinë elektrike Tesla e bardhë, e parkuar përballë shtëpisë. Pas të shtënave, automjeti u largua nga vendi i ngjarjes duke lëvizur në drejtim të jugut në rrugën Coldwater Canyon Drive.
Burime për median amerikane thanë se këngëtarja Rihanna ndodhej në shtëpi në momentin e incidentit, ku jeton me partnerin e saj, reperin A$AP Rocky, dhe tre fëmijët e tyre. Sipas të njëjtave burime, artistja është në gjendje të mirë.
Rasti është aktualisht nën hetim nga autoritetet, ndërsa identiteti i gruas së arrestuar nuk është bërë ende publik.
