KreuCelebrity

Aurora Polo, evolucioni i gruas parimore!

Aurora Polo, evolucioni i gruas parimore!

Çdo grua që shohim në pikën e saj më të lartë të suksesit, na frymëzon dhe na tregon se me punë arrihet gjithçka. Ndodh që joshja për sukses të çon në vendime të shpejta dhe jo rrallë ka ndodhur që kostoja të jetë më e lartë sesa mundësia që kemi për ta paguar. Aurora Polo, me profesion inxhiniere, drejtuese e një transformimi real të Radio Televizionit Shqiptar, në më pak se një vit në krye të kësaj medie është modeli më i mirë për të treguar se nëse ndjek me dinjitet, devocion dhe vërtetësi hapat që ke marrë përsipër, ti jo vetëm e arrin qëllimin, por edhe e shijon atë!

Aurora, përshëndetje, mirë se erdhe në “Bordo”. Si do ta përshkruanit rrugëtimin tuaj profesional deri këtu?

Faleminderit për ftesën. Pjesa ime profesionale ka ecur mbi një rrugëtim të bazuar në punë, përpjekje dhe përgjegjësi! Kam qenë gjatë gjithë kohës me një lloj ndërgjegje dhe profesionalizëm për të bërë çdo gjë shumë mirë. Jo thjesht për të bërë mirë!

Cilat kujtoni momentet më vendimtare për ju?

Momentet vendimtare kanë qenë ato momente kur unë duhet të vendosja për të marrë një vendim shumë të rëndësishëm, drejtimin e një institucioni publik, siç është Radio Televizioni Shqiptar. Ai ishte momenti më i vështirë dhe vendimi më i vështirë imi, të cilin e pranova sa me gëzim brenda vetes, aq edhe me përgjegjësi shumë të madhe për një detyrë aq të rëndësishme që mu ngarkua.

Dhe me ngarkimin e kësaj detyre kaq të rëndësishme vjen dhe një presion shumë i madh. Si e menaxhuat ju?

Kjo ishte pjesa më sfiduese. Të menaxhosh me presion punën do një durim të cilin besoj se unë e kam. Unë kam një përgjegjshmëri të madhe në punë. Mendoj se në qoftë se ti ke disa parime ti nuk ke frikë nga ato trysni të cilat i ke gjatë punës. Nëse këto parime ti nuk i humbet gjatë rrugës, ti mund ta menaxhosh shumë mirë pjesën e trysnisë që të vjen pas punës.

Si e shihni sot rolin e medias publike në një kohë kur rrjetet sociale janë ato që po ndryshojnë gjithçka?

Në këto momente, kur media sociale është shumë e shpejtë në hedhjen e të dhënave apo të lajmit, për sa i përket medias publike sidomos është shumë e vështirë dhe do një punë profesionale për të hedhur lajmin sa më të saktë, sa më të përgjegjshëm dhe sa më real. Mendoj në disa raste puna e medias publike është shumë më e vështirë. Vetëm duke pasur disa parime, mbi të cilat duhet të ecë çdo gazetar për të dhënë një lajm sa më të saktë dhe të dominojë mbi lajmin e medias sociale.

Aurora Polo, evolucioni i gruas parimore!

Cilat kanë qenë vlerat kryesore që ju kanë udhëhequr në punën tuaj?

Dinjiteti, kryesorja, përgjegjshmëria dhe karakteri i durimit. Këto mendoj unë që kanë qenë tri gjërat kryesore të mia të cilat më kanë udhëhequr në drejtimin e punës sime.

Si i keni balancuar përgjegjësitë e mëdha në profesion me jetën personale, familjare?

Duke i kombinuar të dyja! Duke mos lënë hapësirë bosh edhe për familjen, e cila është një pjesë kryesore jona, ashtu edhe me pjesën e punës. Jam munduar që t'i kem të balancuar të dyja. Ndoshta në periudhën kur kam qenë dhe drejtuese, kam lënë pak nga pjesa e familjes duke iu përkushtuar më shumë punës.

Çfarë këshille do t'u jepni të rinjve që duan sot të ndërtojnë një karrierë në media?

Duhet patjetër të studiojnë shumë, të mos mendojnë që karriera është e menjëhershme. Karriera do durim, duhet të jetë e fortë dhe që të jetë e fortë duhet të jetë me shkallë, domethënë jo e menjëhershme. Ti mund të ngjitesh avash-avash atje ku duhet në karrierën tënde që kërkon, jo ta kalosh me shpejtësi pa e kuptuar dhe përjetuar as ti vetë rritjen profesionale. Ka shumë të rinj që i shoh që direkt sapo dalin nga bankat e shkollës duan të bëjnë një karrierë të shpejtë, të nxituar. Jo, karriera mendoj dhe kështu është, ka një lloj kohe për të kaluar nga një shkallë në tjetrën!

Çfarë cilësish duhet të ketë dikush që ju ta punësoni?

Cilësitë e para duhet të jetë i sinqertë, duhet të ketë një karakter të fortë, të jetë i përgjegjshëm për atë që bën. Këto janë tri besoj gjërat kryesore që një person duhet t’i ketë në punë. Përgjegjësia është kryesorja te pjesa që merr dhe duhet ta bëjmë me shumë përgjegjësi atë gjë që merr edhe jepet për ta drejtuar, për të menaxhuar edhe veten.

Te një punonjës shikoni më shumë përvojën apo karakterin?

Pa diskutim karakterin. Karakteri nuk ndryshon. Përvoja merret siç e thashë dhe në fillim, avash-avash ti do t'i marrësh përvojën dhe do ta zbatosh, do ta bësh në punë atë gjë që ti e ke përfituar me vitet.

Si e dalloni një profesionist të mirë që në takimin e parë?

Atë e njeh që në momentin që bisedon me të, nga mënyra se si diskuton dhe nga koha që të kushton gjatë bisedës së intervistës për punë.

A keni një rutinë ose zakon që ju ndihmon të jeni e fokusuar dhe energjike për të vazhduar përpara?

Padiskutim! E para është organizimi i gjërave që duhet të bëj, përkushtimi dhe mendoj që gjithmonë i rikthehem gjërave që duhet të rregulloj, që t'i kem edhe më mirë për ditën tjetër. Këto janë parimet e mia.

Çfarë ju jep më shumë kënaqësi jashtë punës?

Familja, shoqëria ime të cilën nuk e humb në asnjë moment edhe kur unë jam e ngarkuar me punët e mia, mundohem të lë pak hapësirë edhe për të kaluar një pjesë të kohës së mirë me shoqërinë dhe me familjen.

Si e kujtoni momentin kur ndjetë se po arrinit diçka të rëndësishme si grua dhe si profesioniste?

Në momentin që duhet të merrja disa vendimmarrje të rëndësishme reale, mendoj që ka qenë pjesa më e rëndësishme e imja si grua, si femër dhe jam munduar që të jem shumë e sinqertë në atë që bëj dhe në atë vendimmarrje që unë do të që merrja dhe e marr gjithmonë. Gjithmonë mendoj shumë gjatë diçka kur marr vendime, përpiqem t’i marr ato me profesionalizëm, duke mos lënduar njeri, por ndërkohë dhe duke ruajtur ato të cilat mua më kërkohen për të marrë një vendimmarrje në të mirë të punës dhe profesionalizmit.

A ka pasur role femërore në familje ose në shoqërinë tuaj që ju kanë inspiruar gjatë rrugëtimit tuaj?

Pa diskutim që ka, Shqipëria ka treguar që ka shumë femra të forta. Më kanë inspiruar përgjithësisht femrat e forta. Ato janë frymëzimi im.

Aurora Polo, evolucioni i gruas parimore!

Vajzës suaj, cila është këshilla që i thoni më shpesh?

Të ketë besim te vetja. Është kryesorja. Vetëm ashtu do të ecë përpara, duke ruajtur gjithmonë dinjitetin, të mos humbasë asnjë moment dhe të jetë e sinqertë në atë çfarë bën.

Në jetë keni marrë mirënjohjen e duhur për gjërat që keni dhënë?

Jo gjithmonë, por në përgjithësi e kam marrë edhe mirënjohjen.

Cilat janë vlerat në të cilat ju besoni më shumë?

Dinjiteti, përgjegjshmëria, sinqeriteti janë kryesoret për të ecur përpara. Janë vlera, që duhet t’i ketë parasysh çdo i ri!