KreuCelebrity

Britney Spears reagon pas arrestimit: bisedë pajtuese me familjen

Britney Spears reagon pas arrestimit: bisedë pajtuese me familjen
Këngëtarja e njohur Britney Spears ka reaguar pas arrestimit të saj për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit, ndërsa sipas mediave amerikane ajo ka zhvilluar biseda me disa anëtarë të familjes së saj.

Sipas raportimeve të TMZ, nëna e saj Lynne Spears e telefonoi menjëherë pasi mësoi për arrestimin. Burime pranë familjes kanë treguar se mes tyre pati një bisedë “pozitive” dhe “plot shpresë”, gjatë së cilës Lynne i ofroi mbështetje vajzës së saj.

Pas lirimit nga paraburgimi, artistja ka folur edhe me dy djemtë e saj, Sean Preston Federline dhe Jayden James Federline, megjithëse ende nuk janë takuar personalisht. Marrëdhënia mes Spears dhe djemve të saj, të cilët i ka me ish-bashkëshortin Kevin Federline, ka qenë shpesh e tensionuar gjatë viteve të fundit.

Madje, sipas raportimeve, këngëtarja u ndje e lënduar vitin e kaluar kur djali i saj Sean Preston vendosi të mos kalonte festat e fundvitit me të, pasi nuk ishte gati për një pajtim mes tyre.

Vetëm pak kohë më parë, Spears kishte shpërthyer edhe në rrjetet sociale me kritika ndaj familjes. Në një postim në Instagram, ajo shkruante se disa njerëz që pretendojnë se ndihmojnë, në fakt e bëjnë një person të ndihet i izoluar dhe i përjashtuar.

Arrestimi i këngëtares ndodhi në Ventura County, në California, të mërkurën rreth orës 21:28 me orën lokale. Sipas autoriteteve, policia e ndaloi pasi dyshohej se po drejtonte automjetin e saj në mënyrë të rrezikshme pranë daljes së Newbury Park.

Nga të dhënat e burgut të qarkut rezulton se artistja u lirua në orët e para të mëngjesit të së enjtes. Raportimet sugjerojnë se në momentin e arrestimit ajo mund të ketë qenë nën ndikimin e alkoolit dhe substancave të tjera, ndërsa brenda makinës së saj, një BMW e zezë, dyshohet se është gjetur edhe një substancë e panjohur. Rezultatet e analizave kimike ende nuk janë bërë publike.

Burime pranë këngëtares kanë treguar për Page Six se gjatë procedurave në polici Spears ishte shumë e emocionuar dhe shpesh në lot. Sipas tyre, ajo ndihet e turpëruar për situatën dhe e penduar për atë që ka ndodhur.

“Ajo nuk dëshiron të zhgënjejë askënd, sidomos fansat e saj. Gjëja e fundit që dëshiron është të gjykohet publikisht edhe një herë,” ka deklaruar një burim pranë artistes, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.