Moderatorja Einxhel Shkira e ftuar në "Mirëmbrëma Yje" ka ndarë së fundmi një reflektim të fortë mbi situatën aktuale në media dhe mënyrën se si funksionon sot televizioni. Ajo thekson se gara për audiencë dhe klikime shpesh po e largon televizionin nga përmbajtja cilësore.
Sipas Einxhelit, realiteti mediatik i sotëm e vendos televizionin përballë një presioni të madh për të konkurruar me platformat e shpejta të rrjeteve sociale. “Unë e kam problemin tek situata aktuale në media, mua kjo më lëndon. Ja po bëj një emision me intervista dhe, dreqi ta hajë, duhet të konkurrosh në audiencë dhe klikime me një gjë bastarde,” shprehet ajo.
Moderatorja mendon se sot është humbur shembulli dhe orientimi për atë që duhet të jetë televizioni. Sipas saj, një program që aspiron të ofrojë përmbajtje cilësore nuk duhet të detyrohet të konkurrojë me ritmin dhe logjikën e platformave si TikTok.
Duke kujtuar eksperiencën e saj në emisionin Goca dhe Gra, Einxhel tregon se shpesh të ftuarit që nuk ishin domosdoshmërisht në pritshmëritë e publikut rezultonin më të klikuarit. Ajo shpjegon se ndodh që një aktore apo personazh me vlerë të marrë shumë pak shikime, ndërsa një person i panjohur të arrijë qindra mijëra klikime.
"Kur isha tek “Goca dhe Gra” kishte të ftuar që mund të mos ishin në pritshmëritë e audiences ose dhe tonat, ata ishin më të klikuarit. Ty të vjen e ftuar një super personazh, aktore dhe ty të merr 300 views dhe ty të vjen një askush dhe njerëzit të sulen, të thonë “si e keni ftuar ju atë, pse e keni ftuar ju atë” dhe ai shkon 500mijë views." thotë ajo.
Në fund, Einxhel jep edhe një përgjigje të drejtpërdrejtë për këtë fenomen: sipas saj, televizioni në shumë raste thjesht po reflekton atë që publiku zgjedh të shohë. “Televizioni po ju jep ata që ju doni të shihni,” përfundon moderatorja.
