Nga Ilda Lumani
Fotografia: Andis Rado
Në karrierën time si gazetare kam takuar dhe njohur profesionistë, njerëz të matur, me eksperiencë dhe modele, që vlejnë jo vetëm për t’i pasur afër, por edhe për t’u frymëzuar. Një prej tyre është padyshim Sofjola Kotelli, drejtuese e Turizmit në GIZ Shqipëri, një grua, që nuk të duhet një njohje e thellë dhe e gjatë në kohë. Prezantimi me të e mandej takimet e pakta për punë, më kanë dhënë një ndjenjë pozitive dhe motivuese. Me një eksperiencë që nis nga media e shkruar, në Selanik, teksa ajo ishte studente, te përfshirja e saj në bashkinë Korçë, ku puna e saj dhe ekipit me të cilin punonte la një shenjë për atë që qyteti juglindor është edhe sot; më tej puna pranë qeverisë, e vitet e fundit përkushtimi i saj në promovimin, evidentimin dhe përmirësimin e turizmit rural janë dëshmi e një njeriu pasionant, të përkushtuar, që beson te suksesi i punës në grup. Kombinuar kjo me përkushtimin familjar, Sofjola ndan me lexuesit e “Bordo” rrugëtimin e saj, i cili vlen të lexohet edhe si një leksion për të gjithë të rinjtë!
Sofjola, mirësevjen në BORDO. Cili është impakti yt përballë një reviste, duke qenë se ti vetë ke drejtuar një revistë dikur?
Revista është dashuria ime e parë me punën. Ishte fillimi im në aspektin profesional dhe një fillim shumë i bukur. Isha ende studente, në periudhën kur vazhdoja Masterin për Administrim Biznesi në Selanik, kur drejtova revistën “Prestige”. Ishte një revistë e vogël, por me një mision të rëndësishëm, revista e parë shqiptare në Greqi, një hapësirë e dashur për emigrantët shqiptarë. Ajo eksperiencë më mësoi shumë mbi komunikimin, përgjegjësinë dhe fuqinë që ka fjala e shkruar për të krijuar komunitet dhe për të dhënë zë.
Të vjen keq që nuk e vazhdove atë pasion? Dhe nëse do ta kishe vijuar, ku do ta shihje veten sot? Në median e shkruar apo në ekran?
Të jem e sinqertë, jo, nuk më vjen keq. Që në fillim isha e qartë me veten: ishte një pasion dhe një angazhim për një moment të caktuar të jetës sime. Edhe pse kam jetuar jashtë gjatë studimeve universitare dhe pasuniversitare dhe rrugëtimi im profesional nuk ishte i kristalizuar, për një gjë kam qenë gjithmonë e sigurt do të kthehesha në Shqipëri menjëherë pas studimeve. Ndoshta pikërisht kjo qartësi më lidhi me median e shkruar vetëm përkohësisht. Ishte një kapitull i bukur, por jo destinacioni im përfundimtar.
Sot je drejtuese e turizmit në GIZ Shqipëri. Si është ky moment karriere për ty?
Drejtimi i turizmit rural, puna me agro-turizmet, bujtinat e vogla, prodhuesit e vegjël, me të rinjtë që promovojnë turizmin e eksperiencave dhe aventurës, destinacionet e reja akoma të pazbuluara, më japin një kënaqësi të veçantë. Ndjehem me fat që prek nga afër histori të vërteta, njerëz që, pavarësisht sfidave e vështirësive, kanë arritur të ndërtojnë diçka me vlerë në zonat ku jetojnë për veten dhe komunitetet. Janë pikërisht këta njerëz modelet e vërteta dhe frymëzimi im i përditshëm. Përmes punës kam udhëtuar cep më cep në Shqipëri, kam ndaluar në fshatra të vegjël malorë, në zona të thella rurale, në bregdet e në lugina ku jeta rrjedh me ritmin e saj të vërtetë. Kam prekur nga afër autenticitetin tonë, atë që historia, koha dhe njerëzit kanë ndërtuar ndër shekuj me durim, sakrificë dhe dashuri për tokën e tyre. Kam takuar familje që ruajnë receta të trashëguara brez pas brezi, artizanë që vazhdojnë zanate të vjetra, të rinj që janë kthyer në vendlindje për të investuar në bujtina apo ferma të vogla, duke i dhënë një dimension të ri traditës. Në çdo cep të Shqipërisë ka një histori që pret të dëgjohet dhe një vlerë që pret të jetësohet. Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të ndihmosh këto histori dhe këto komunitete të dalin në pah, të pozicionohen siç duhet në zinxhirin e turizmit shqiptar dhe të marrin atë që meritojnë, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në dinjitetin dhe krenarinë për atë që përfaqësojnë. Autenticiteti, rrënjët tona, historia, këto janë thelbi i një kombi. Janë identiteti ynë dhe diferenca jonë. Në një botë ku gjithçka po uniformizohet, pikërisht ajo që është e vërtetë, e papërsëritshme dhe e lidhur me rrënjët bëhet vlerë dhe luks. Të kontribuoj që ky autenticitet të zërë vendin që meriton në turizmin shqiptar, të ndihmoj që zonat e ndryshme të ringjallen ekonomikisht, që komunitetet të krijojnë mundësi reale për zhvillim dhe për të ardhmen e fëmijëve të tyre, kjo padiskutim më frymëzon çdo ditë.
Cilat janë synimet dhe planet për vitin 2026?
Viti 2026 ka nisur vrullshëm. Kam synime dhe plane si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë familjar. Profesionalisht, nisim një projekt të ri për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe turizmit pranë natyrës në Parkun Kombëtar të Vjosës, një zonë fantastike me potencial të jashtëzakonshëm e njerëz të mrekullueshëm. Unë besoj gjithmonë se fillimi i mbarë është gjysma e punës, ndaj ky vit do të jetë një shenjë e rëndësishme në këtë drejtim. Në aspektin familjar gjithashtu priten disa ndryshime, disa lëvizje që do të sjellin një rutinë të re. Besoj dhe shpresoj për mirë.
Eksperienca në administratë është një tjetër pikë e fortë në karrierën tënde. Si e kujton sot atë periudhë?
Eksperienca 11-vjeçare në qeverisjen lokale dhe qendrore është një nga shtyllat e forta të karrierës sime.
Në Bashkinë e Korçës (2008–2013) pata fatin të jem pjesë e një periudhe kur qyteti kishte nevojë për ide të reja, rigjallërim dhe orientim të ri. Ishte një kohë shumë e bukur, kur së bashku me njerëz të apasionuar ndërtuam profilin turistik të Korçës, një nga qytetet e para që i tregoi Shqipërisë se Shqipëria është e bukur për t’u vizituar nga vetë shqiptarët. Jam krenare që shumë prej ideve dhe projekteve të atyre viteve vazhdojnë të qëndrojnë fort edhe sot dhe janë bërë pjesë e identitetit të qytetit. Në qeverisjen qendrore mësova mbi të gjitha rëndësinë e njohjes së realitetit në terren. Politikat dhe strategjitë mund të duken shumë të mira në letër, por nëse nuk mbështeten mbi një kuptim të vërtetë të nevojave të njerëzve dhe specifikave të territorit, ato mbeten të mangëta. Qeverisja e mirë nis nga dëgjimi nga aftësia për të kuptuar, për të reflektuar dhe për të qenë i lidhur vazhdimisht me realitetin që synon të ndikosh. Aty kuptova gjithashtu se çdo vendim, sado teknik apo administrativ të duket, ka impakt në shkallë të gjerë. Një vendim i mirë mund të krijojë mundësi, zhvillim dhe besim. Një vendim i nxituar ose i pamenduar mirë mund të prodhojë pasoja që shtrihen përtej një sektori apo një periudhe të caktuar kohe. Kjo më mësoi të jem më e matur, të mos nxitohem dhe të peshoj çdo hap me përgjegjësi. Një tjetër mësim i rëndësishëm ishte fuqia e sinergjisë. Asnjë institucion, asnjë ekip dhe asnjë individ nuk arrin rezultate të qëndrueshme i vetëm. Bashkëpunimi mes institucioneve, mes niveleve të ndryshme të qeverisjes, por edhe mes sektorit publik dhe atij privat, është çelësi i suksesit. Të punuarit i veçuar rrallë të çon larg; ndërsa kur krijohet një vizion i përbashkët dhe një koordinim i mirë, rezultatet janë jo vetëm më të dukshme, por edhe më të qëndrueshme në kohë. Këto mësime i mbaj me vete edhe sot: të dëgjoj më shumë, të veproj me maturi dhe të ndërtoj ura.
Mes këtyre tre momenteve të karrierës, cilën eksperiencë veçon?
Secili moment ka pasur sfidat, kënaqësitë dhe mësimet e veta. Revista më mësoi rëndësinë e komunikimit dhe sidomos atë të produktit që komunikon. Komunikimi pa produkt të vërtetë dhe të mirëmenduar zbehet shumë shpejt. Bashkia e Korçës më forcoi lidhjen me qytetin tim, më nxiti kreativitetin e lidhjen me të shkuarën, dhe më mësoi këmbënguljen. Eksperienca në nivel qendror më zgjeroi perspektivën dhe rrjetin e bashkëpunimeve, gjithashtu më ka plotësuar perspektivën, rrjetin e bashkëveprimeve dhe pritshmëritë. Puna që bëj sot më ka zhvilluar “të dëgjuarit”, të qëndruarit me këmbë në tokë, si dhe më mësoi se puna e mirë dhe rezultatet vijnë edhe në balancë të plotë me jetën personale, familjen dhe kohën që duhet t’i kushtosh vetes tënde çdo ditë.
Nuk dua të veçoj asnjërën dhe as tjetrën. Realisht mendoj se edhe falë të gjitha këtyre eksperiencave dhe gërshetimeve në kohë të ndryshme, pas 20 vitesh unë jam kjo që jam sot. Dhe sigurisht kam shumë akoma për të mësuar, kontribuar dhe rritur profesionalisht dhe personalisht.
Familja jote sa pranë është aktivitetit tënd profesional? Apo puna punë dhe familja familje?
Familja ime është padyshim gjëja më e çmuar që kam ndërtuar në jetë. Është baza ime, forca ime dhe vendi ku gjithmonë gjej mbështetje, pavarësisht sfidave që më sjell angazhimi profesional. Ata janë njerëzit që më njohin më mirë se kushdo tjetër, që më qëndrojnë pranë pa kushte dhe që më japin forcë edhe në momentet më të vështira. Sa i përket raportit mes familjes dhe punës, përpiqem gjithmonë të ruaj një ekuilibër të shëndetshëm. Nuk kam qenë gjithmonë e suksesshme në këtë drejtim, por jam përmirësuar shumë me kalimin e kohës. Sot që flasim për mua, puna është shumë e rëndësishme dhe e bëj me përkushtim maksimal, por familja mbetet prioriteti im absolut. Mundohem që sfidat apo presioni i profesionit të mos ndikojnë në harmoninë familjare. Them se e kam kuptuar se kujtimet që kanë vlerë të përjetshme lidhen vetëm me familjen dhe njerëzit e dashur. Në të njëjtën kohë, ata janë shumë pranë aktivitetit tim profesional në kuptimin e mbështetjes morale. Këshillat e tyre, këndvështrimi i sinqertë më ndihmojnë të qëndroj me këmbë në tokë. Pra, për mua nuk është “puna punë dhe familja familje” në kuptimin e ndarjes së ftohtë, por është një balancë e ndërtuar me vetëdije, secila me rol thelbësor në përmbushjen e vetvetes profesionalisht dhe personalisht.
Vajza jote si e sheh punën dhe profesionin tënd? Është e frymëzuar për të ndjekur të njëjtën rrugë?
Vajza ime, Noemi, e sheh punën time me një kuriozitet të bukur dhe me një vlerësim që më prek. Ne flasim për shumë gjëra, jo gjithmonë për punën time, por unë e ndiej që ajo e respekton atë që bëj. Ndonjëherë ndiej edhe krenarinë e saj të heshtur, ato momente të vogla, por shumë domethënëse për mua si prind. Nuk e di ende nëse do të ndjekë të njëjtën rrugë. Deri tani duket më e orientuar drejt shkencave, por është herët për ta përcaktuar. Sinqerisht, për mua nuk ka rëndësi çfarë profesioni do të zgjedhë. Ajo që ka rëndësi është si do ta ndjekë rrugën e saj – me pasion, përkushtim dhe përgjegjësi. Do të doja që prej meje të marrë modelin e dashurisë për punën dhe seriozitetin, edhe për gjërat që nuk duken apo nuk marrin duartrokitje. Sepse diferencën në jetë nuk e bën thjesht profesioni që zgjedh, por mënyra si e jeton atë. Nëse një ditë frymëzohet nga rruga ime, do të jem e lumtur. Por do të jem po aq e lumtur nëse ajo ndërton një rrugë krejt të sajën mjafton ta bëjë me zemër, integritet dhe përgjegjësi.
