
Policia e Kosovës ka arrestuar këtë të mërkurë (4 mars) reperin Gramos Krasniqi, i njohur me emrin e skenës “Mossi”, i cili ishte shpallur në kërkim për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.
Ai dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj gazetarit të Gazetës Nacionale, Burim Pacolli, në një incident të ndodhur dy ditë më parë në Prishtinë. Sipas raportimeve të Kallxo.com, gazetari është sulmuar nga disa persona, ndërsa rasti ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik.
Më 2 mars 2026, Prokuroria Themelore në Prishtinë bëri të ditur se hetimet po zhvilloheshin në koordinim me Policinë e Kosovës, duke theksuar se për shkak të fazës së hershme të procesit nuk mund të jepeshin detaje të tjera.
Dy ditë më vonë, autoritetet konfirmuan arrestimin e Mossit. Përveç dyshimeve për dhunë ndaj gazetarit, reperi po hetohet edhe për përdorim të narkotikëve.
Ngjarja dyshohet të ketë pasur si zanafillë një përplasje në rrjetet sociale. Pak ditë para incidentit, Pacolli kishte publikuar në Instagram një video nga një emision televiziv, ku rendiste disa prej “diss”-eve më të forta të reperëve shqiptarë. Postimet dhe komentet mes tyre sugjerojnë se tensionet online mund të kenë çuar në përshkallëzimin e konfliktit në përplasje fizike.
Hetimet për rastin vijojnë.
