KreuCelebrity

Ice Spice flet hapur për ndryshimin në peshë: “Ishte depresioni”

Ice Spice flet hapur për ndryshimin në peshë: “Ishte
Ice Spice ka vendosur t’u japë fund spekulimeve që prej kohësh qarkullonin në rrjet lidhur me humbjen e saj në peshë. Reperja 26-vjeçare reagoi publikisht më 25 shkurt, pasi u përball me akuza të vazhdueshme se kishte përdorur medikamentin Ozempic për të dobësuar.

Debati u ndez në platformën X, ku një përdorues ironizoi videot e saj nga palestra, duke sugjeruar se ndryshimi në trupin e saj ishte “qartësisht nga Ozempic”. Përgjigjja e artistes ishte e shkurtër, por e fortë: “Jo, ishte depresioni. Tani jam më mirë.”

Rrëfimi i saj i sinqertë ngjalli reagime të shumta nga fansat, të cilët e mbështetën me mesazhe solidariteti dhe mirëkuptimi. Shumë prej tyre vlerësuan faktin që ajo foli hapur për shëndetin mendor, duke theksuar se depresioni është një betejë reale që shpesh mbetet e padukshme për publikun.

Kjo nuk është hera e parë që Ice Spice përgënjeshtron zërat për përdorimin e Ozempic. Edhe gjatë vitit 2024 ajo kishte mohuar pretendime të ngjashme, duke sqaruar se angazhimi në turne, stërvitjet e rregullta dhe një stil jetese më i shëndetshëm kishin ndikuar në transformimin e saj fizik.

Megjithatë, deklarata e fundit zbulon një dimension më personal të artistes, duke treguar se pas suksesit dhe famës qëndrojnë edhe sfida emocionale. Tashmë, Ice Spice shprehet se ndihet në një gjendje më të mirë dhe është e fokusuar te mirëqenia dhe shëndeti i saj mendor, duke e vendosur veten në plan të parë.