Aktori i humorit Albano Bogdo ka surprizuar publikun me një rrëfim të drejtpërdrejtë për jetën e tij sentimentale në “Grida Duma Podcast”, duke zbuluar se është fejuar plot katër herë.
“Jam fejuar katër herë,” u shpreh ai pa hezitim, duke theksuar se çdo histori ka pasur peshën dhe rëndësinë e vet në jetën e tij.
Bogdo hodhi poshtë idenë se është i paqëndrueshëm në marrëdhënie, duke theksuar se ai thjesht nuk mund të ndryshojë thelbin e vet për të kënaqur dikë tjetër. “Më duan shumë njerëz, thjesht s’ka funksionuar. Unë kështu funksionoj. Në qoftë se nuk pëlqen… nuk mund të ndryshoj 75% të vetes që të ndihesh ti e lumtur. Ç’kuptim ka bota në qoftë se unë s’jam vetvetja ta shijoj?” tha ai.
Aktori pranoi se dashuria ka nevojë për dinamika dhe emocione të forta, madje edhe për pak “toksicitet”, por vetëm deri në një kufi të pranueshëm. “Kur bëhet pak më shumë se ç’duhet, pastaj nuk duhet më,” shtoi ai.
Një nga momentet më të ndjera të intervistës ishte kur u pyet nëse e sheh veten baba në këtë fazë të jetës. Bogdo rrëfeu se për vite me radhë ka pasur një frikë të madhe që lidhet me figurën e të atit.
“Fobia më e madhe që kam pasur gjithë jetën është sepse e njoh shumë mirë veten dhe i ngjaj shumë babait tim. Në qoftë se vendos të bëhem baba, vendos me dëshirën më të madhe në botë për të qenë babai i tyre derisa të vdes, t’u jem prezent gjithë kohës. Nuk më bënte askush të ndihesha se doja të bëhesha baba,” deklaroi ai.
