Stilisti e njohur Law Roach ka ndezur spekulimet se Zendaya dhe Tom Holland mund të jenë martuar tashmë në një ceremoni private.
Gjatë një interviste për Access Hollywood në ndarjen e çmimeve Actor Awards 2026, Roach stilisti prej vitesh i aktores deklaroi: “Dasma ka ndodhur tashmë”, duke shtuar me shaka: “E keni humbur.” I pyetur nëse ishte e vërtetë, ai u përgjigj: “Është shumë e vërtetë”, por nuk dha detaje të tjera rreth kohës apo vendit të ceremonisë.
Revista Rolling Stone kontaktoi përfaqësuesit e çiftit për koment, por deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar.
Një burim kishte konfirmuar për Rolling Stone në janar 2025 fejesën e çiftit, pasi Zendaya u shfaq në tapetin e kuq të Golden Globes me një unazë që dukej si unazë fejese në dorën e majtë.
Zendaya dhe Holland e bënë publike lidhjen e tyre në vitin 2021, pasi luajtën së bashku për herë të parë në filmin “Spider-Man: Homecoming” në vitin 2017. Çifti njihet për ruajtjen e privatësisë së tyre dhe rrallëherë ka folur publikisht për marrëdhënien.
Në një intervistë për The Hollywood Reporter në vitin 2023, Holland theksoi se mbrojtja e jetës private është e qëllimshme: “Marrëdhënia jonë është diçka që e mbrojmë jashtëzakonisht shumë dhe duam ta mbajmë sa më të shenjtë të jetë e mundur. Nuk i detyrohemi askujt shpjegime.”
Nga ana tjetër, në një intervistë për Vogue vitin e kaluar, Zendaya foli me admirim për partnerin e saj, duke treguar se si fama e menjëhershme pas rolit si Spider-Man ndryshoi jetën e tij, por se ai e përballoi me shumë dinjitet.
Duke qenë se të dy janë shumë të rezervuar për jetën personale, një dasmë e organizuar larg vëmendjes së mediave nuk do të ishte aspak e pazakontë për ta.
