KreuCelebrity

Heidi Lushtaku, një muzë e pakohë!

Nga Ilda Lumani

A është e mundur që një personazh që jeton në Arabinë Saudite dhe të jetë edhe në kopertinën e BORDO-së? Dëshira për të pasur këtë bashkëpunim me Heidi Lushtakun, modelen e njohur ndërkombëtare, me një nga të bukurat e Zvicrës, Gjermanisë dhe Austrisë për vitin 2015, nga revista botërore “Maxim” ka lindur prej kohësh, por vetëm këtë dimër koordinatat gjeografike e bënë të mundur. Një vizitë dyditore në Prishtinë, ku Heidi shoqërohej me dy fëmijët e saj të vegjël (3 dhe 1 vjeç e gjysmë) ishte kohë e mjaftueshme për “t’i vjedhur” disa orë me fotografen dhe drejtoren kreative të këtij seti, Fioralba Kryemadhi dhe për të sjellë një editorial dimëror, siç do të ishte ndoshta në bjeshkët e Kosovës (ku bora e vërtetë nisi pak vonë këtë herë), apo në Zvicrën malore, ku Heidi ka jetuar që prej moshës 6-vjeçare. Bashkëngjitur edhe kjo intervistë, ku Heidi ndan historinë e saj sot, me bashkëshortin Merih Demiral, yllin e futbollit turk, me të cilin kanë tashmë dy djem, jetën në Arabinë Saudite, ku vera është 12 muaj të vitit, investimin te jeta e shëndetshme, ku sporti është për ta një mënyrë jetese, angazhimet në fushën e modës, ku fytyra e saj vijon të jetë një nga më të kërkuarat si imazh publicitar (Heidi ka realizuar me dhjetëra fushata publicitare si modele në Zvicër, Francë, Gjermani, Austri, SHBA dhe Azi)! Përsos kësaj, Heidi, sot 35 vjeçe, me një maturi ka shfaqur veten e saj edhe në podcast-in e saj, ku pret të ftuar personazhe nga Shqipëria dhe Kosova, për të ndarë tema të veçanta. Përmes kësaj bisede jam e bindur që do të njihni edhe më shumë Heidin, një muzë e pakohë, jo vetëm bukurie por edhe për karakterin dhe stilin e jetesës, që promovon!

Heidi Lushtaku, një muzë e pakohë!

Heidi, kënaqësi që të kemi në BORDO! Për një modele, kur rikthehet në set dhe realizon si në këtë rast një kopertinë, çfarë ndjesie është?

Të jesh në kopertinën e një reviste është gjithmonë një krenari sepse është njohje profesionale. Por është e vërtetë që të jesh në kopertinën e një reviste shqiptare është emocionuese për mua, sepse ndiej një lidhje familjare me lexuesit. Gjithashtu dua të falënderoj “Bordo-n” që më zgjodhi këtë muaj.

Jeta jote është e vendosur në Zvicër, me familjen tënde. Takimi me audiencën shqiptare çfarë ndjesie të jep?

Unë dhe prindërit e mi ikëm nga Lufta e Kosovës kur isha gjashtë vjeçe. Pra, unë jam refugjate politike, dhe kur ke atë status në shoqëri, si fëmijë nuk e di vërtet kuptimin e fjalës, përveçse sheh mëshirë në sytë e njerëzve. E dija që në fillim se nuk kisha një themel të fortë në jetën time dhe se gjithmonë duhej të bëja më shumë se të tjerët. Të qenit një e mbijetuar e luftës, një refugjate politike dhe të përfaqësoja vendin tim ndërkombëtarisht ka krijuar një lidhje shumë të thellë me publikun shqiptar. Dhe në zemrën time, kam fituar edhe luftën e Kosovës.

Si i mban ti kontaktet me Shqipërinë dhe Kosovën?

Mundohem të vij sa më shpesh të mundem, por është e vërtetë që ndonjëherë është e komplikuar për shkak të jetës sime familjare dhe jetës shumë të mbingarkuar profesionale të burrit tim.

Heidi Lushtaku, një muzë e pakohë!

Heidi, je mami e dy fëmijëve. Është e vështirë? Si është rutina jote në këtë moment që flasim?

Është një jetë plot dashuri dhe shqetësim (qesh). Jam e përmbushur, gjithmonë e kam ëndërruar këtë dhe kur kam dhënë intervista kur isha shumë e vogël, shpesh kam folur për këtë si për një ëndërr dhe jo për karrierën time.

Çfarë moshë kanë fëmijët? Dhe mendon se e keni realizuar tashmë portretin familjar?

Më i madhi është 3 vjeç dhe më i vogli është një vit e gjysmë. Ne i duam familjet e mëdha, Zoti e di se çfarë na pret e ardhmja. Por nuk e fsheh faktin që kujdesi për një fëmijë dhe rritja e tij është e vështirë.

Çfarë gjuhe flisni në shtëpi dhe çfarë gjuhe po ju mëson fëmijëve?

Ne jemi një shtëpi ndërkombëtare. Unë shqiptare dhe zvicerane. Im shoq turk. Imagjinoje vetë, Ilda (qesh). Ne flasim katër gjuhë! Anglisht, frëngjisht, shqip dhe turqisht!

Bashkëshorti yt është një personazh i rëndësishëm i futbollit botëror, Merih Demiral. Si u njohe me të dhe kur u njohe a ishte ai kaq i famshëm sa tani?

Kur takova burrin tim, ai luante për Juventusin dhe ne donim t'i mbanim gjërat private. Fëmija im i parë ishte njëmuajsh në jetë kur e bëmë publike familjen, martesën dhe lidhjen tonë. Dhe unë jam një romantike dhe kam qenë e pasionuar nga sekreti ynë, kaq i bukur që kishim.

Heidi Lushtaku, një muzë e pakohë!

Si është të jesh në qendër të vëmendjes dhe të kesh një partner me një vëmendje shumë të madhe?

Unë dhe burri im kemi një diferencë moshe pothuajse tetë vite. Ndërsa burri im ishte në shkollë, unë kisha punuar si modele për vite me radhë, isha pjesë e televizionit dhe e mediave dhe punoja shumë nëpër botë. Për mua, nuk është problem; përkundrazi, është njohje profesionale dhe mendoj se çdo artist apo atlet ka nevojë për të.

Sot të gjithë futbollistët e prezantojnë familjen dhe e kanë edhe një aset për imazhin e tyre. Ju keni një model çifti në këtë drejtim? Dhe a jeni ju të prirur të tregoni një model familjeje përtej një çifti showbiz-i?

Ne kemi një rregull për këtë. Ne refuzojmë kategorikisht të tregojmë vetëm gjëra luksoze, të shfaqim të gjitha emocionet tona dhe jemi kundër çdo promovimi manipulues. Ne i marrim shumë seriozisht mediat sociale dhe nuk po përpiqemi të jemi modele, por të mbrojmë të rinjtë.

Duke qenë se Merih është i angazhuar në futboll, ku jetoni më së shumti ju? Si e ndani kohën?

Kur Merih niset për lojë me kombëtaren turke, unë qëndroj në Zvicër. Po më së shumti jetojmë në Arabinë Saudite, për shkak se burri im luan për “Al Ahli” në Arabinë Saudite.

Si është të jetosh në Arabinë Saudite dhe çfarë të pëlqen dhe çfarë jo?

Më pëlqen të jetoj në Arabinë Saudite. Nuk ka asnjë krim, është një vend që po lulëzon dhe rritja e fëmijëve këtu është e lehtë dhe shumë e kujdesshme. E vetmja gjë që nuk më pëlqen është fakti që nuk ka katër stinë. Është vapë gjatë gjithë vitit.

Çfarë të mungon nga Zvicra?

Malet, bjeshkët, liqenet dhe bora.

Po pushimet janë gjithmonë në varësi të ndeshjeve?

Po, gjithmonë (qesh!).

Fëmijët çfarë ndjejnë kur i merr me vete në ndeshjet e babit?

Ata e ndiejnë emocionin e stadiumit. Por nuk e kuptojnë akoma pse nuk mund të shkojnë ta prekin babin e tyre dhe të luajnë top me të.

Kam parë që i ke marrë fëmijët në ski, edhe pse të vegjël. Nuk i ndan ata asnjëherë nga pushimet dhe aktivitetet që bën?

Është thelbësore për mua t'u mësoj atyre gjithçka që jam e aftë të bëj në sport. Do të doja që sporti të ishte pjesë e jetës së tyre dhe po bëj çmos t’ua prezantoj. Jo profesionalisht, sepse nuk është detyra ime të zgjedh profesionin e tyre, por si pjesë e stilit të tyre të jetesës për shëndetin e tyre mendor dhe fizik.

Heidi Lushtaku, një muzë e pakohë!

Gjatë shtatzënisë nise një podcast shumë interesant, pasi ishte edhe imazhi yt që tërhiqte vëmendje; një grua shtatzënë që interviston. Si ishte si eksperiencë dhe do ta vijosh sërish?

Do ta rifilloj shumë shpejt podkastin tim, të cilin e dua dhe më jep lirinë për të shprehur tema që më pëlqejnë dhe nuk fliten shpesh.

Heidi, a ka një model, një mentor, dikë që sheh si frymëzim dhe e ndjek në mënyrë rigoroze?

Sinqerisht, këto ditë, nga frika se mos zhgënjehem, nuk idealizoj askënd. Por fizikisht, i dua imperfeksionet, gratë në gjendjen e tyre natyrore.

Po në rutinën tënde të kujdesit dhe bukurisë, cilat janë ato produkte dhe trajtime pa të cilat nuk bën dot?

Unë besoj vetëm te sporti dhe hidratimi me ujë. Ka qenë rutina ime gjithmonë.

Ke një parfum të preferuar, apo të pëlqen të bësh kombinime dhe ndryshime gjithmonë?

Jam shumë e ndjeshme ndaj aromave. Çdo aromë më ngjall një ndjenjë dhe një ndjenjë identifikimi. Pothuajse nuk e ndërroj kurrë parfumin tim, “Twilly” nga Hermes.

Sa i përket stilit, të pëlqen të krijosh stilin tënd vetë, apo i beson dikujt që kujdeset për ty?

Kur bëhet fjalë për rrobat dhe grimin, jam shumë dembele. Por kam stilin tim dhe nuk më pëlqen të ndryshoj ose të provoj shumë gjëra.

Heidi Lushtaku, një muzë e pakohë!

Je e dhënë pas brand-eve apo preferon të jesh sa më diskrete?

Unë jam më shumë në favor të diskrecionit dhe vetëpromovimit.

Kur është hera e fundit që ke ardhur në Tiranë dhe për cilado të ishte ajo arsye që do të të sillte?

Ishte viti 2021, për ditëlindjen e kushërirës sime dhe shfrytëzova rastin për të bërë një intervistë televizive.

Ke menduar të vish të bësh ndonjëherë pushime në Jugun e Shqipërisë? Apo preferon pushime larg vëmendjes së njerëzve?

Po, Shqipëria ka disa vende të mrekullueshme të egra! Më pëlqen të udhëtoj dhe me fëmijët e mi jemi shumë afër natyrës. Më pëlqejnë vendet autentike, me pak njerëz dhe me shumë kafshë.

Në këtë fazë të jetës tënde, cila është ëndrra më e madhe që ke?

Jam e bindur se nëpërmjet edukimit mund ta shpëtojmë planetin dhe njerëzimin. Prandaj, për mua, të qenit nënë është një përgjegjësi e së ardhmes. Të rritësh njerëz të mirë, kjo është përparësia ime dhe t'i shoqëroj ata në këtë jetë është një ëndërr për mua.

Heidi Lushtaku, një muzë e pakohë!

Heidi Lushtaku, një muzë e pakohë!

Heidi Lushtaku, një muzë e pakohë!

Heidi Lushtaku, një muzë e pakohë!

Heidi Lushtaku, një muzë e pakohë!

Heidi Lushtaku, një muzë e pakohë!