KreuCelebrity

Nga dashuria para kamerave te jeta reale, rrëfehen Arlind Gashi dhe Ueda Ndrecaj

Nga Brunilda Gorovelli

Dashuria e Arlind Gashit dhe Ueda Ndrecajt nuk pretendon të jetë perfekte, por është e ndërtuar mbi themele të forta. Në këtë intervistë për “Bordo”, çifti flet hapur për rrugëtimin e tyre nga ekrani në jetën reale, për prindërimin që i ka ndryshuar si njerëz dhe si partnerë, si dhe për rëndësinë e komunikimit, durimit dhe respektit në një marrëdhënie afatgjatë. Me një sinqeritet që i karakterizon, Arlindi dhe Ueda tregojnë se dashuria e vërtetë nuk është moment, por proces.

Si ju gjen shkurti 2026, emocionalisht dhe si çift?

Ueda: Na gjen më të qetë, më të pjekur dhe më të bashkuar. Jo perfektë, por të vërtetë. Dashuria sot është një zgjedhje e përditshme, jo vetëm ndjenjë. Gjithashtu, është një muaj i rëndësishëm për Arlindin, pasi duhet të planifikojë ditëlindjen time dhe Shën Valentinin (me pak shaka).

E festoni çdo vit Shën Valentinin? Ka rëndësi për çiftin tuaj kjo festë?

Arlindi: E festojmë, por pa presion. Jemi një çift shumë i thjeshtë dhe preferojmë të bëjmë gjëra domethënëse për njëri-tjetrin. Për ne nuk është vetëm një ditë në vit, por çdo ditë kur respektojmë, falim dhe qëndrojmë bashkë.

Si është jeta juaj e përditshme nën të njëjtën çati?

Ueda: Plot zhurmë, të qeshura, lodhje dhe dashuri. Një shtëpi e gjallë, jo perfekte, por e mbushur me ngrohtësi. Nuk kemi ndarje të rrepta detyrash; ndonjëherë Arlindi kujdeset më shumë për Amean, herë të tjera unë.

Çfarë keni mësuar për njëri-tjetrin duke jetuar bashkë?

Ueda: Që dashuria nuk është vetëm të duash, por edhe të durosh, të kuptosh dhe të rritesh bashkë. Është shumë e rëndësishme të kuptosh gjuhën e dashurisë së partnerit dhe të dish të bësh kompromis kur është e nevojshme.

Nga dashuria para kamerave te jeta reale, rrëfehen Arlind Gashi dhe Ueda

I keni të ndara punët në shtëpi? Si?

Arlindi: Po, por në mënyrë fleksibël. Kush ka më shumë kohë, bën më shumë. Martesa nuk është llogari, është ekip.

Kush kujdeset më shumë për vajzën?

Arlindi: Të dy. Prindërimi nuk ka gjini – ka përgjegjësi dhe përkushtim.

Ndonjë bebe tjetër? Jeni si shqiptarët që e doni edhe një djalë?

Ueda: Nëse Zoti do, pse jo. Do të ishte një përvojë ndryshe të rrisje një djalë dhe diçka e re për ne. Por mbi të gjitha, më e rëndësishmja është të kemi fëmijë të shëndetshëm.

Çfarë ka ndryshuar më shumë në raportin tuaj që nga momenti kur u njohët?

Arlindi: Jemi bërë më të qetë. Më pak ego, më shumë “ne”. E kuptojmë njëri-tjetrin më mirë dhe mundohemi gjithmonë të gjejmë gjuhë të përbashkët.

A është më e vështirë apo më e bukur të dashurosh jashtë kamerave?

Ueda: Është më e vështirë, por edhe më e bukur. Jashtë kamerave dashuria është më e pastër, sepse njeh më mirë zakonet e këqija të njëri-tjetrit dhe zgjedh sërish të duash. Dashuria jonë është edhe më e madhe tani që kemi një engjëll të vogël që vrapon nëpër shtëpi.

Si ju ka ndryshuar prindërimi si njerëz dhe si çift?

Ueda: Na ka bërë më të durueshëm, më të përgjegjshëm dhe më mirënjohës për njëri-tjetrin. Për ne është shumë e rëndësishme që vajza jonë të shohë një dashuri nga e cila merr mesazhe të shëndetshme. Duam që lidhja jonë të jetë shembull për atë që ajo mund të kërkojë në të ardhmen.

Momentin e ardhjes në jetë të Ameas, si e jetuat? Emocione, frikë?

Arlindi: Ishte një moment që ta ndryshon jetën përgjithmonë. Lot, frikë, por mbi të gjitha një dashuri që nuk përshkruhet me fjalë.

Si e ndani rolin e prindit mes jush?

Arlindi: Me komunikim. Nuk ka “roli im” apo “roli yt”, por “fëmija ynë”. Është shumë e rëndësishme të vendosësh pritshmëri të qarta dhe t’ia kërkosh partnerit gjërat që të duhen, në vend që të presësh. Komunikimi është çelësi.

Kur e kuptuat se kjo lidhje nuk ishte më lojë, por jetë?

Ueda: Ishte e qartë që në fillim, edhe gjatë programit televiziv. Kishim një ndjesi shumë të fortë për dashurinë tonë dhe ajo u bë edhe më e fortë jashtë, kur mësuam se prisnim një fëmijë. Besuam dhe punuam fort për të ardhmen tonë. Kur filluam të mendonim për jetën dhe jo vetëm për momentin.

A mendoni se dashuria juaj do të kishte mbijetuar pa kamerat?

Arlindi: Po. Sepse baza jonë nuk ishin kamerat, por respekti dhe besimi në dashurinë tonë. Të dy ndjemë diçka, që nuk e kishim ndjerë kurrë më parë dhe besuam në të.

Mesazhi juaj për këtë Shën Valentin?

Ueda: Dashuria nuk është perfekte. Por nëse ka respekt, komunikim dhe durim, ajo fiton çdo betejë. Shën Valentini është një ditë e bukur për të treguar mirënjohje dhe vlerësim, por dashuria duhet të ndihet çdo ditë përmes gjesteve të vogla: ndihmë në shtëpi, kohë cilësore së bashku dhe larg telefonave.

Nga dashuria para kamerave te jeta reale, rrëfehen Arlind Gashi dhe Ueda

Nga dashuria para kamerave te jeta reale, rrëfehen Arlind Gashi dhe Ueda

Nga dashuria para kamerave te jeta reale, rrëfehen Arlind Gashi dhe Ueda