
Maddox, djali i Angelina Jolie dhe Brad Pitt, ka vendosur të heqë mbiemrin e të atit, duke u identifikuar tashmë si Maddox Jolie. Ky hap vjen tetë muaj pas motrës së tij, Shiloh, e cila ligjërisht ndryshoi emrin nga Shiloh Jolie-Pitt në Shiloh Jolie, menjëherë pasi mbushi 18 vjeç.
Sipas revistës People, Maddox figuron me mbiemrin Jolie në titrat përmbyllës të filmit më të ri të nënës së tij, Couture, ku ka punuar si asistent regjisor. Ai ishte kredituar si Maddox Jolie edhe në materialet promocionale gjatë premierës së filmit në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto në shtator 2025. Në filmin e mëparshëm biografik Maria, kushtuar sopranos legjendare Maria Callas, emri i tij ishte ende Maddox Jolie-Pitt.
Vendimi i Shiloh për të hequr mbiemrin e Pitt u konsiderua nga avokati i saj si një zgjedhje e pavarur dhe e rëndësishme, bazuar në procedurat ligjore të shtetit të Kalifornisë. Një muaj pas këtij vendimi, burime të People raportuan se marrëdhënia e Brad Pitt me fëmijët e tij të rritur mbetet e tensionuar.
Angelina Jolie dhe Brad Pitt finalizuan divorcin e tyre në dhjetor 2024, duke i dhënë fund një procesi ligjor që zgjati tetë vjet. Ish-çifti vazhdon të ketë përplasje ligjore lidhur me pronat dhe vreshtin e tyre në Francë, pasi Jolie shiti pjesën e saj të aksioneve në vitin 2021.
Përveç Maddox dhe Shiloh, çiftit i përkasin edhe katër fëmijë të tjerë: Pax, Zahara dhe binjakët Knox dhe Vivienne. Së fundmi, edhe Vivienne është prezantuar me mbiemrin Jolie në një projekt teatror në Broadway.
