Këngëtarja e njohur shqiptare, Jonida Maliqi, ishte e ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin Mirëmbrëma Yje të Arbana Osmanit, ku ndau një rrëfim shumë të personal dhe emocional për jetën e saj si nënë dhe për djalin e saj, Danin.
Jonida u shpreh se mëmësia ka sjellë sfida të mëdha dhe momente shumë të vështira. “Ka qenë një moment tjetër pastaj ku më është dashur të përballem me një situatë që ishte drama e jetës time, ku supozohet që Dani ishte ndryshe nga fëmijët e tjerë. Ishte një situatë që mendova se nuk kishte shpresë… Kam dashur t’i jap fund jetës për hir të së vërtetës atëherë,” rrëfeu këngëtarja me emocione të forta.
Ajo shtoi se mungesa e informacionit dhe pamundësia për ta përballuar situatën e bënë të ndjehej e pafuqishme, por që kjo përvojë e mësoi se forca e vërtetë shpesh lind në momentet më të errëta.
Megjithatë, Dani ka qenë gjithmonë një burim i jashtëzakonshëm lumturie dhe bekimi për të. “Mendoj që njeriu duhet të pranojë me gjithçka që i vjen në jetë, për të kuptuar sa i fortë je, jo vetëm për veten tënde, por edhe për problematikat e ndryshme. Problematika më e madhe në jetë është shëndeti. Kur nuk ke në dorë që të bësh diçka, kupton forcën tënde kur arrin të ndryshosh atë që ke mundësi të ndryshosh. Kur sheh ndryshimin, thua ‘ej, ja dola’,” tha Jonida.
Lindja e Danit ishte një moment i thjeshtë, por i mbushur me dashuri dhe emocione të thella. “Kur ma vuna në kraharor, i thashë fjalët më të bukura. Zoti më ka bekuar me Danin, një fëmijë që më jep dashurinë që nuk do më jepte asnjë mashkull në botë. Ai është një burrë i cili më respekton, më shikon me dritën e syve kur më përqafon dhe e di që kjo është shtëpia e tij,” rrëfeu Jonida, duke përshkruar lidhjen e veçantë me djalin e saj.
Këngëtarja shtoi se Dani është një “engjëll në tokë”, duke bërë që ajo të ndihet e lumtur dhe krenare çdo ditë për rritjen dhe progresin e tij. “Ky ka qenë mësimi i jetës time dhe jam shumë krenare për të, sepse progresi i tij më bën nënën më të lumtur në botë,” përfundoi Jonida.
