Një studim i ri ndërkombëtar ka zbuluar se cilësia e spermës tek meshkujt ndryshon sipas stinëve, duke arritur nivelet më të larta gjatë verës dhe më të ulëtat në dimër.
Studiues nga Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Danimarka analizuan mostrat e spermës së 15,581 burrave të moshës 18–45 vjeç nga Danimarka dhe Florida (SHBA). Rezultatet treguan se motiliteti i spermës aftësia e saj për të lëvizur në mënyrë efektive ishte më i lartë në muajt qershor dhe korrik në të dy rajonet, pavarësisht ndryshimeve të mëdha klimatike.
Sipas studimit të publikuar në revistën shkencore Reproductive Biology and Endocrinology, nivelet më të ulëta të motilitetit u regjistruan në dhjetor dhe janar, madje edhe në Florida ku temperaturat mbeten të larta gjatë gjithë vitit.
Megjithatë, studiuesit nuk gjetën ndryshime sezonale në përqendrimin total të spermës numrin e spermatozoidëve në spermë apo në vëllimin e ejakulatit. Kjo do të thotë se stinët ndikojnë në aftësinë e spermës për të lëvizur, por jo në sasinë e saj.
Temperatura optimale e testikujve, ku prodhohet dhe ruhet sperma, duhet të jetë 2–4 gradë më e ulët se temperatura mesatare e trupit prej 37°C. Devijimet nga ky interval mund të dëmtojnë motilitetin e spermës dhe rrjedhimisht fertilitetin.
Profesor Allan Pacey nga University of Manchester, bashkautor i studimit, tha se shkencëtarët u habitën nga ngjashmëria e rezultateve në dy klimë shumë të ndryshme.
“Edhe në Florida, ku temperaturat janë të larta gjatë gjithë vitit, motiliteti i spermës arrinte kulmin në verë dhe binte në dimër, çka tregon se vetëm temperatura e ambientit nuk e shpjegon këtë fenomen,” u shpreh ai.
Studiuesit besojnë se kuptimi i këtyre modeleve sezonale mund të ndihmojë në përmirësimin e trajtimeve të fertilitetit dhe në përcaktimin e kohës më të përshtatshme për testime apo përpjekje për konceptim.
Gjetjet sugjerojnë se faktorë të tjerë sezonalë përveç temperaturës mund të kenë ndikim të rëndësishëm në shëndetin riprodhues mashkullor.
Burimi: BBC NEWS
