Familja e banorit të Big Brother VIP Albania 5, Mirit ka publikuar një reagim zyrtar lidhur me mënyrën se si ai është trajtuar gjatë qëndrimit të tij në shtëpinë më të famshme në Shqipëri.
Në deklaratën e shpërndarë në rrjetet sociale, familja shpreh shqetësimin për akuzat dhe etiketimet që, sipas tyre, kanë tejkaluar kufijtë e pranueshëm, duke cenuar dinjitetin personal dhe profesional të Mirit. Ata theksojnë se ai është rritur me vlera dhe edukatë, duke hyrë në format me qëllimin për të qenë vetvetja dhe për të dhënë një kontribut pozitiv në lojë.
Sipas reagimit, disa situata dhe reagime të banorit janë interpretuar në mënyrë të gabuar, ndërsa ironia apo qëndrimet e tij janë parë si konflikt, edhe pse familja i konsideron ato si mënyrë njerëzore për të përballuar presionin e vazhdueshëm brenda shtëpisë.

Familja Shahini apelon që situatat në vijim të trajtohen me më shumë kujdes dhe profesionalizëm, duke kërkuar një qasje më të balancuar nga produksioni dhe stafi përgjegjës i spektaklit. Ata shprehin besimin se menaxhimi i mëtejshëm do të ruajë integritetin dhe seriozitetin e formatit.
Në fund të reagimit, familja falënderon mbështetësit dhe publikun për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Mirit, duke theksuar se ky reagim ka si qëllim të vetëm mbrojtjen e emrit dhe dinjitetit të tij.
