Një ngjarje e rëndë ka prekur familjen e aktorit të njohur kanadezo-amerikan Martin Short. Vajza e tij, Katherine Hartley Short, është ndarë nga jeta në moshën 42-vjeçare, duke lënë familjen dhe miqtë në pikëllim të thellë.
Në një deklaratë për revistën People, familja u shpreh se është “e shkatërruar nga kjo humbje e paimagjinueshme” dhe kërkoi privatësi për të përballuar dhimbjen.
Autoritetet bëjnë me dije se Departamenti i Zjarrfikësve të Los Anxhelosit iu përgjigj një thirrjeje emergjente në një banesë në Hollywood Hills mbrëmjen e 23 shkurtit. Zyra e mjekut ligjor konfirmoi se Katherine humbi jetën si pasojë e vetëvrasjes. Lajmi u raportua fillimisht nga portali TMZ.
Katherine ishte një nga tre fëmijët e adoptuar të Martin Short dhe bashkëshortes së tij të ndjerë, Nancy Dolman, e cila vdiq në vitin 2010 pas një beteje me kancerin ovariannjë tjetër humbje e madhe që familja kishte përjetuar më parë.
Megjithëse jetonte larg vëmendjes së publikut, Katherine kishte ndërtuar një karrierë të përkushtuar në shërbim të të tjerëve si punonjëse sociale klinike, duke ofruar terapi dhe mbështetje për familjet përmes praktikës private dhe klinikës Amae Health.
E diplomuar në psikologji dhe studime gjinore në New York University dhe me master në punë sociale nga University of Southern California, ajo kishte zgjedhur një rrugë jetese të përkushtuar ndaj shëndetit mendor dhe ndihmës për komunitetin.
Familja Short theksoi se Katherine do të mbahet mend për “dritën, dashurinë dhe gëzimin që solli në jetët e të gjithëve që e njohën”.
