KreuCelebrity

Komentet bullizuese ndaj Kelly Osbourne për humbjen në peshë: “Askush nuk e meriton një abuzim të tillë”

Komentet bullizuese ndaj Kelly Osbourne për humbjen në peshë:
Kelly Osbourne ka reaguar publikisht ndaj komenteve fyese që ka marrë në rrjetet sociale lidhur me transformimin e saj fizik. Këngëtarja dhe personazhi televiziv britanik u shfaq së fundmi në London Fashion Week, gjatë prezantimit të Ascot Millinery Collective në hotelin Claridge’s në Mayfair, ku u vu re dukshëm më e dobët.

Pamja e saj nxiti reagime të shumta online, përfshirë edhe komente të ashpra që vinin në dyshim shëndetin e saj. Situata mori një kthesë më serioze kur Osbourne publikoi në Instagram një nga mesazhet që kishte marrë, i cili përmbante edhe një referencë të rëndë ndaj babait të saj të ndjerë.

“Dukesh si një trup i vdekur. Sikur së shpejti do takosh babain tënd”, thuhej në komentin që ajo vendosi ta bëjë publik.

E revoltuar, 41-vjeçarja reagoi duke theksuar se është e pabesueshme sa larg mund të shkojnë disa njerëz me fjalët e tyre. Ajo shtoi se askush nuk meriton të përballet me një gjuhë të tillë urrejtjeje dhe bullizimi.

Osbourne ka mohuar vazhdimisht spekulimet se ka përdorur injeksione për dobësim. Ajo ka sqaruar më herët se ndryshimi në pamjen e saj është rezultat i një operacioni gastrik që ka kryer në vitin 2018, i kombinuar me një regjim të disiplinuar ushqimor dhe stërvitje intensive.

Burime pranë saj bëjnë me dije se ajo është e përkushtuar të ruajë stilin e ri të jetesës, veçanërisht pas humbjes së të atit, megjithatë komentet për trupin dhe pamjen e saj vazhdojnë ta prekin, edhe pse përpiqet t’i injorojë.

Rasti i fundit rikthen në vëmendje debatin mbi bullizimin online dhe presionin e vazhdueshëm që personazhet publikë përjetojnë lidhur me pamjen e tyre fizike.