Aktori amerikan Robert Carradine, i njohur për rolet në filmin Revenge of the Nerds dhe serialin Lizzie McGuire, ka ndërruar jetë të martën në moshën 71-vjeçare pas një beteje të gjatë me çrregullimin bipolar.
Lajmin e konfirmoi familja e tij në një deklaratë për Deadline, duke e përshkruar aktorin si “një dritë shprese në një botë që shpesh duket e errët”. Ata theksuan se Carradine kishte luftuar për afro dy dekada me sëmundjen mendore dhe shpresojnë që historia e tij të ndihmojë në luftën kundër stigmës.
Kolegu i tij në “Lizzie McGuire”, Jake Thomas, shkroi se zemra i dhemb për humbjen e “njërit prej njerëzve më të mirë” që kishte njohur, ndërsa aktorja kryesore Hilary Duff tha se lajmi ishte “i vështirë për t’u përballuar” dhe kujtoi ngrohtësinë e familjes së serialit.
View this post on Instagram
Robert Carradine ishte djali më i vogël i aktorit legjendar John Carradine dhe u orientua drejt aktrimit nga vëllai i tij David Carradine. Vëllai tjetër, Keith Carradine, e quajti atë “shtyllën e familjes” dhe vlerësoi guximin e tij në përballjen me sëmundjen.
Karrierën e nisi në vitin 1972 me filmin The Cowboys përkrah John Wayne. Më pas u shfaq në dramën fituese të Oscarit Coming Home, ku luanin Jane Fonda dhe Jon Voight. Ai gjithashtu luajti në The Long Riders, ku u shfaq bashkë me dy vëllezërit e tij në rolin e një trioje jashtëligjore.
Përveç aktrimit, Carradine ishte muzikant i talentuar luante kitarë dhe në fund të viteve ’80 formoi një grup muzikor. Ai ishte gjithashtu pilot profesionist garash, duke konkurruar në nivele të larta të motorsportit.
Aktori lë pas tre fëmijë Ever, Marika dhe Ian si dhe tre nipër e mbesa. Familja e kujton si një baba të përkushtuar, xhaxha të dashur dhe një gjysh plot energji.
