Nga Ilir Shyta
Në botën magjepsëse, por sfiduese të pasarelave ndërkombëtare, ku ëndrrat shpesh vihen në provë nga refuzimet dhe sakrificat, rrugëtimi i Georgakopoulos është dëshmi se këmbëngulja dhe besimi në vetvete shpërblehen. Modeli grek ndan në këtë intervistë për revistën “Bordo” historinë e tij personale, sfidat, sukseset dhe filozofinë e jetës që e kanë çuar nga një email i harruar drejt skenës globale të modës.
Si filloi rrugëtimi yt në industrinë e modës?
Modelingu erdhi papritur në jetën time. Gjithmonë e kisha dashur, ëndërruar, por vite më parë, kur kontaktova disa agjenci, mora përgjigje negative. Kjo më bëri të mendoj se ndoshta ky nuk ishte rrugëtimi i duhur për mua. Më vonë, një ditë fare rastësisht, hasa një email të vjetër dhe të palexuar nga një agjenci mode që kishte dhënë përgjigje pozitive. U lidha menjëherë me ta dhe kështu nisi gjithçka. Dhe tani ja ku jam mes pasarelave të modës!
Cila ka qenë sfida më e madhe e juaja deri tani?
Duhet ta pranoj që sfida më e madhe nuk ishte në fillim të karrierës si model, por kur u detyrova të largohem nga fshati ku linda dhe u rrita, për të jetuar në Athinë. Në kryeqytet e ndoqa modelingun si një profesion të mirëfilltë, që sigurisht po më jep shumë sukses.
Çfarë do të thotë për ty të përfaqësosh Greqinë në skenën ndërkombëtare të modës?
Të përfaqësoj vendin tim në skenën ndërkombëtare të modës, më sjell shumë gëzim dhe vetëm krenari. Përmes punës sime, takoj njerëz nga e gjithë bota, nënshkruaj kontrata pune dhe ndaj me ta momente interesante rreth Greqisë, lashtësisë dhe modernitetit të saj. Kjo më bën vërtet të lumtur.
A ka një moment të veçantë në karrierën tënde që nuk do ta harrosh kurrë. E mban mend?
Po, sigurisht. Ai moment ishte kur eca për herë të parë nën dritat e ndritshme të pasarelës. Nuk do ta harroj atë ndjesi gjatë gjithë jetës sime. Isha sa në ëndërr, aq edhe në zhgjëndërr. Zemra më rrihte fort dhe isha shumë i lumtur...
Veç Greqisë dhe Shqipërisë, a keni modeluar në shtete të tjera...?
Jashtë Greqisë kam patur mundësinë të punoj në Itali dhe në Shqipëri. Oferta të tjera më presin t’i realizoj së shpejti.

Cilat janë bashkëpunimet më frymëzuese me stilistë apo marka?
Stilisti shqiptar Joni Peçi është aktualisht një nga pikat më të forta në portofolin tim personal të karrierës. Të punoja në sfilatën e tij ishte një përvojë unike dhe e paharrueshme. Përgjegjësi, rregull dhe vetëprezantim dinjitoz.
Si e përkufizon bukurinë? A ndryshon ky përkufizim sipas vendit apo kulturës?
Bukuria është diçka subjektive për secilin njeri. Megjithatë, në modeling ekziston një bukuri objektive, që sipas mendimit tim përcaktohet nga simetria e fytyrës. Sigurisht, kjo ndryshon sipas vendit dhe kulturës. Ne grekët duket se e kemi të lindur këtë sukses. Në Ballkan edhe shqiptarët janë portrete interesante për industrinë e ashpër të modelingut.
Si e përballon presionin e vazhdueshëm të përditshmërisë për të dukur fizikisht perfekt?
Besoj se gjithçka është në mendjen tënde. Përveç palestrës dhe kurimit të përditshëm, kur kupton se nuk është e nevojshme të jesh perfekt në gjithçka, presioni fillon të zbutet. Kur do të jesh “the best”, presioni rritet dhe ti vrapon drejt suksesit.
Çfarë të motivon më shumë për të vazhduar përpara në industrinë e modës dhe modelingut?
Vetja ime! Është një punë që, pavarësisht vështirësive, më mbush dhe më bën të ndihem vetvetja.
Si e balancon jetën personale me kërkesat e karrierës si model?
E vërteta është se, nëse dëshiron ta ndjekësh modelingun, jeta personale bëhet pothuajse inekzistente. Nuk ka shumë kohë për t’iu përkushtuar një marrëdhënieje apo opinioneve të të tjerëve. Për mua personalisht, një marrëdhënie kërkon angazhim nga të dyja palët, jo vetëm nga një, domethënë nga vetvetja dhe agjencia.

Si është një ditë e zakonshme në jetën tënde jashtë pasarelës?
Një ditë tipike për një model përfshin audicione të pafundme, shumë ushtrime fizike dhe meditim, sepse gjëja më e rëndësishme për mua është qetësia mendore.
A ndjek një dietë dhe rutinë të rreptë ushtrimesh fizike?
Po, dieta ime është strikte, veçanërisht kur kam para një audicion. Nuk duhet të hash asgjë katër orë para, madje një orë para eventit nuk duhet të pish as ujë. Por kështu është, duhet të mësosh të jesh i disiplinuar në këtë punë.
A ke ndonjë lidhje me Shqipërinë apo Ballkanin?
Origjina ime është nga një fshat në Greqi. Në pamje të parë, nuk kam lidhje të origjinës me Shqipërinë. Megjithatë, ju them me bindje se ka patur dhe gjithmonë do të ketë një rrënjë joformale midis vendeve tona të Ballkanit, lidhja që na bashkon drejtpërdrejt përmes zakoneve, traditave dhe kulturës.
Cila është një këshillë që do t’u jepje të rinjve, të cilët duan të bëhen modelë?
Këshilla më e vlefshme që mund t’ju jap është kjo: Nëse dikush nuk e dëshiron me të vërtetë ëndrrën e tij që t’i bëhet realitet, nëse shpirti i tij nuk është i uritur për atë ëndërr, nuk duhet as ta fillojë atë rrugëtim. Por, nëse ëndrra jote është diçka që e dëshiron me gjithë zemër, atëherë shko pas saj, deri sa të bëhet realitet. Fluturo nëpër botë dhe ndiq ëndrrën tënde si shqiponjë! Dhe më e rëndësishmja: beso gjithmonë te vetja, jo te të tjerët!
