
Pas raportimeve se episodi me Loredana Zefin ishte hequr nga YouTube, intervista në podcastin “Mirëmbrëma Yje” është rikthyer sërish në kanal. Videoja, e cila kishte ngjallur debat të madh për deklaratat e artistes rreth marrëdhënies me Mozzik, u rishfaq pa asnjë shpjegim zyrtar.
Fillimisht, episodi nuk gjendej në platformë, ndërsa në rrjetet sociale të Arbana Osmanit vazhdonin të qëndronin reels dhe fotografi nga intervista. Kjo nxiti spekulime se përmbajtja mund të ishte fshirë për shkak të reagimeve të forta nga publiku.
Intervista u bë virale pasi Loredana foli për raportin me ish-partnerin Mozzik dhe ndikimin që konfliktet publike mund të kenë tek vajza e tyre, duke rikthyer debatin në rrjet.
Rikthimi i videos duket se ka qetësuar fansat, ndërsa mbetet e paqartë nëse zhdukja e përkohshme ishte një vendim i qëllimshëm apo thjesht një problem teknik.
