KreuCelebrity

Kur muzika bashkon jetën, historia e një dashurie pa skenare e Meritës & Raifit

Nga Brunilda Gorovelli 

Në një botë ku ritmi i shpejtë shpesh e zbeh thelbin e ndjenjave, historia e Merita Halilit dhe Raif Hysenit, vjen si një melodi e qëndrueshme, e ndërtuar mbi dashurinë, respektin dhe sakrificën. Ata nuk ndajnë vetëm jetën, por edhe skenën, misionin dhe përgjegjësinë për ta çuar muzikën shqiptare përtej kufijve. Nga takimi i parë i ndezur nga muzika, deri te përditshmëria e thjeshtë mes mësimdhënies, gatimit dhe diskutimeve për atdheun, Merita dhe Raifi dëshmojnë se dashuria e vërtetë nuk është thjesht fjalë, por vepra që rriten me kohën. Ky është një rrëfim i dy artistëve ikonë për të gjithë shqiptarët, të cilët artin e kthyen në lidhje dhe lidhjen në art. 

Teksa ju u takuat për herë të parë, kur e kuptuat se takimi juaj nuk ishte thjesht një njohje, por fillimi i një jete së bashku? 

Merita Halili: Do të thosha që në fillim kur u takova me Raifin nuk e mendova që do të jetoj me këtë njeri së bashku, po e mendova që duhet të kaloj sa më shumë orë dhe minuta ngaqë unë vërtet rashë në dashuri me Raifin. 

Çfarë ju bëri të dashuroheni me njëri-tjetrin? 

Merita Halili: Muzika 

Si ka ndryshuar dashuria juaj me kalimin e viteve? 

Raif Hyseni: Me kalimin e viteve… Në fillim kur takohesh me një person, që ato shkëndijat e dashurisë së verbër, ke një energji të brendshme që ta përcakton edhe vetë partneri, në rastin konkret Merita. Dashuria me kalimin e kohës shndërrohet në një respekt. Është shkalla e dytë që sipas mendimit tim është dashuri dhe respekt, jo se respekti nuk ka qenë në fillim, mirëpo vetëdijësohesh. Respektin që e ke patur që në fillim, tani e sheh me një sy tjetër dhe me një dozë të shtuar. 

Çfarë është sot dashuria për ju? 

Raif Hyseni: Dashuria sot, ka qenë është dhe do të jetë, në varësi të asaj që bën njëri për tjetrin. Mund t’i thuash çdo ditë personit, të dua të dua të dua, mirëpo kur ti nuk bën asnjë gjë për atë person atëherë ato janë vetëm fjalë. 

Cila është gjëja më e bukur që keni mësuar nga njëri-tjetri? 

Merita Halili: Gjëja më e bukur që kemi mësuar nga njëri-tjetri… unë jam shumë tolerante si natyrë dhe njeriu kur e dashka një njeri i mëson edhe tipin, edhe mënyrën se si vjen dhe jeta nuk është aq e lehtë për çdo njeri. Dhe çfarë kemi mësuar nga njëri-tjetri, kemi mësuar që të jemi sa më shumë të sinqertë, të dashur, dhe të marrim sa më shumë gjëra për t’i dhënë edhe njerëzve këtë lloj dashurie dhe respekti. 

Çfarë sakrifice keni bërë për dashurinë? 

Raif & Merita: Kemi bërë pa fund. 

Raif: Janë disa shumë të mëdha! Dashuria e vërtetë pa sakrifica nuk mund të ekzistojë. 

Çfarë admiron Merita te Raifi si burrë? 

Merita Halili: E admiroj si muzikant së pari sepse aty e kam njohur në muzikë, si fizarmonicist. Admiroj zemrën që ka. Ka një zemër të madhe, të jep gjithçka, nuk ka limit për Raifin. Të jep dashuri, të jep respekt, kuptohet nuk kemi vetëm këto, kemi dhe momente argumentesh, por gjithmonë është ajo që e kemi thënë shumë: më ka dhënë dashuri dhe i kam dhënë dashuri pafund. 

Çfarë admiron Raifi te Merita si grua? 

Raif Hyseni: Gjallërinë e saj! Shumë e gjallë, sinqeritetin dhe gjithmonë mendimet e saj pozitive për të ecur përpara. Përveç zërit që është një zë që mund të vijë ndoshta njëherë në 100 ose 200 vite. Kështu që jam me fat që e kam Meritën, se unë s’e kam zërin e Meritës. Admiroj pastërtinë e saj, shpirtin e pastër që ka, për veten e saj, për mua, familjen tonë dhe për të gjithë miqtë që i kemi rreth e rrotull. 

Cila këngë identifikon dashurinë tuaj? 

Merita Halili: Është një nga këngët që e ka krijuar Raifi, që unë e kam kënduar në Disco Club Albania për herë të parë, “E Jotja jam, i imi je”. Një nga krijimet e para ku ne ishim në dashuri, që Raifi krijoi me tekst të Xhuliana Jorganxhiut. 

Kur muzika bashkon jetën, historia e një dashurie

A ka një premtim që i keni bërë njëri-tjetrit dhe e mbani ende? 

Raif Hyseni: Çdo premtim që i kam dhënë Meritës gjithmonë e kam realizuar. Shpresoj dhe besoj shumë që edhe Zoti ma jep mundësinë që t’i përmbush të gjitha premtimet, deri sa të kemi jetën që na ka dhënë Zoti. 

Si është të ndash jetën me njeriun që ndan edhe skenën? A është më e vështirë apo më e bukur? 

Raif Hyseni: Është shumë e lehtë, por dhe shumë e vështirë sepse suksesi nuk është çelësi i lumturisë, por lumturia është çelësi i suksesit. Kur je i lumtur padyshim që do të kesh sukses. 

Merita Halili: Nuk është edhe aq e lehtë, por gjithmonë duhet gjendur ai çelësi për ta vazhduar. Ka shumë çifte që thonë, “nuk mund të punoj dot me bashkëshortin” dhe ka shumë çifte që kanë punuar vazhdimisht me bashkëshortët e tyre. Por varet… profesioni ynë, unë si këngëtare dhe Raifi si muzikant ka qenë një lidhje shumë e fortë dhe shumë e mirë që i ka shërbyer njëri-tjetrit. Nuk po themi që njëri ka qenë aktor dhe tjetri piktor, kjo është pak që edhe mund të jenë të ndarë profesionet, por në rastin konkret ne jemi bashkë për këtë arsye sepse performojmë së bashku, ndërkohë edhe gjatë ditës japim edhe mësim, vetëm aty jemi të ndarë kur japim mësim, sepse Raifi jep mësim diku tjetër, unë jap mësim diku tjetër. 

A debatoni ndonjëherë për muzikën? 

Raif Hyseni: Posi, shumë! Debatojmë se çfarë të bëjmë më mirë se sa kemi bërë deri sot. Si qenie njerëzore ne mësojmë, gjithmonë kemi kërshërinë që në momentin që ndodhemi, që na jep një mësim, ta bëjmë më mirë ose ta përmirësojmë. 

Cili është rituali juaj i përditshëm? Përditshmëria juaj në USA? 

Merita Halili: Dita ime fillon që në mëngjes, duke shkuar për të dhënë mësim se jap mësim në një shkollë 8-vjeçare mund ta quajmë, që aty e quajnë ‘middle school’. Jap muzikë me studentët nga klasa e 5-të deri në klasën e 8-të. Japim gjithashtu edhe në Akademinë e Arteve ku Raifi është profesor i orkestrës, në degën e ansamblit shqiptar, ku unë punoj me zërat dhe Raifi me ansamblin. Degë zgjedhjeje që e zgjedhin të gjithë amerikanët, është vetëm për amerikanët, për studentët që studiojnë muzikë teori, edukim dhe mund të themi që dita jonë është punë. 

Si është shtëpia juaj kur nuk ka muzikë dhe skenë - kush jeni ju të dy në përditshmëri? 

Raif Hyseni: Unë jam prej Kosove, Merita prej Shqipërisë, ne gjithmonë jetojmë me hallet e Kosovës dhe Shqipërisë. Çfarëdo gjendje që mund të jetë në Shqipëri dhe në Kosovë ajo reflekton dhe fillojmë diskutimin, sidomos për Kosovën për shkaqe të ndryshme politike. Ka diskutime gjithashtu si çdo familje që i bën me anëtarët e familjes. 

Kur muzika bashkon jetën, historia e një dashurie

Kush gatuan më shpesh në shtëpi dhe cila është pjata "specialitet" e secilit? 

Raif Hyseni: Merita! Merita i bën të gjitha pjatat speciale… çkado që gatuan Merita… do të hash ndoshta dhe pjatën komplet, por edhe sikur edhe një vezë përpara duket sikur ka pjekur një qengj. Ashtu siç e ka zërin, ashtu siç e ka emrin, ashtu edhe gatuan. Është fantastike dhe unë ushqimet e saj i ha me ëndje të madhe se janë të shijshme. 

Merita Halili: Raifi nuk gatuan, unë gatuaj shpesh. Siç e the si shkon dita në shtëpinë tuaj, shtëpia për mua është gjëja më e shtrenjtë. Kudo që të shkoj, unë shtëpinë e kam si paqe, një vend meditimi, për arsye sepse unë kur jam në shtëpi, unë e kam mendjen si do ta pastroj dhe kur e pastroj aty e ndjej veten shumë më rehat, qetë dhe gatuaj shumë mirë. Qetësia ime shpirtërore është shtëpia e pastër. I ruaj edhe tradicionalet, por dhe i gërshetoj ndonjëherë. Bëj dhe gjëra të shpejta, siç janë pastat, makaronat, raviolit, por ruaj edhe tradicionalet. Mund të them që dita më e bukur është kur kemi fasule në shtëpi, tava e Elbasanit, fërgesa e Tiranës, për eveniment, nuk e bëj çdo ditë, ajo është vetëm në rastet kur kam dëshirë të gatuaj. Bukën e kam shumë me merak kur e bëj vetë dhe ka qenë një periudhë që e bëja bukën këtu i thonë e ardhur, jo bukën me maja, por bukën tjetër që e përgatit më gjatë. 

Raif Hyseni: Gjithashtu edhe bukën e misrit. Ishalla është kismet vini të na vizitoni dhe do t’i provoni vetë, është jashtëzakonisht e mirë. 

Projektet për vitin 2026? 

Raif Hyseni: Ansambli ynë i studentëve, klasa e Meritës që jep mësim për vokalin, orkestra ime do të përfaqësojnë muzikën shqiptare në festivalin që quhet “Golden Festival” në Nju-Jork, është festivali më i madh, ku marrin pjesë 60 orkestra të ndryshme nga mbarë Amerika, e sidomos ana 

lindore e saj. Pastaj kemi një koncert në Siatle në Uashington (state), që është në kufi me Vanciver me Kanadanë. Unë së bashku me Meritën dhe orkestrën time përfaqësojmë shqiptarët, kur them shqiptarët, flas për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Ballkan, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Preshevë, Çamëri, Mal të Zi e Kalabri. Prezantojmë kulturën tonë në këtë festival që është jashtëzakonisht i rëndësishëm. 

Kur muzika bashkon jetën, historia e një dashurie

Kur muzika bashkon jetën, historia e një dashurie