
Ish-modelja dhe ylli i reality show-t amerikan, Brandi Glanville, ka rrëfyer publikisht një përvojë tronditëse lidhur me shëndetin e saj, duke deklaruar se implantet e gjoksit të vendosura rreth 20 vite më parë shkaktuan probleme serioze që ndikuan edhe në fytyrën e saj.
Në një prononcim për TMZ, Glanville tha se implantet e saj ishin çarë, duke lejuar rrjedhjen e silikonit në nyjet limfatike. Kjo sipas saj çoi në bllokimin e tyre dhe më pas në një infeksion që ndikoi drejtpërdrejt në pamjen e fytyrës.
“Patjetër që kisha një parazit. U shokova sepse kam pasur implante për gati 20 vjet. Dukeshin mirë, isha rehat, mamografia tregonte se gjithçka ishte normale. Vetëm kur ekografia tregoi problemet, kuptova se çfarë po ndodhte. Ndjeva se duhej t’i kontrolloja gjithsesi,” tregoi ajo.
Glanville pranoi se gjatë një kohe të gjatë nuk e kishte kuptuar burimin e shqetësimeve të saj, pasi kontrollet rutinë nuk kishin evidentuar asgjë të dyshimtë. Vetëm ekzaminimet më të hollësishme zbuluan se implantet nuk ishin më në gjendje të mirë.
Rrëfimi i saj ka rikthyer vëmendjen te debatet mbi sigurinë afatgjatë të implanteve të gjoksit dhe rëndësinë e kontrolleve të rregullta mjekësore, veçanërisht për gratë që i kanë mbajtur për shumë vite. Ish-modelja nuk dha detaje për trajtimin që po ndjek aktualisht, por theksoi se zbulimi i problemit i dha një përgjigje për simptomat që e kishin shqetësuar gjatë gjithë kësaj kohe.
