KreuCelebrity

Lirohet 12-orë pas arrestimit Princi Andrew, çfarë u vendos

Lirohet 12-orë pas arrestimit Princi Andrew, çfarë u vendos

Ditëlindja e 66-të që nisi në pranga për Andrew Mountbatten-Windsor, vëllain e Mbretit Charles III të Britanisë së Madhe, përfundoi mbrëmjen e djeshme me lirimin e tij nga burgu.

Pas një kohe të gjatë marrjeje në pyetje nga detektivët e policisë së “Thames Valley”, ish-princi i Britanisë u pa duke lënë stacionin policor, dukshëm i tronditur. Policia konfirmoi se ai është liruar, por mbetet nën hetim për akuzën e rëndë të shpërdorimit të detyrës zyrtare. Arrestimi, një ngjarje e paprecedentë në historinë moderne mbretërore, u krye pas dyshimeve se Andrew i ka dërguar dokumente konfidenciale të qeverisë britanike abuzuesit seksual Jeffrey Epstein.

Bëhet fjalë për raporte sekrete mbi vizitat zyrtare në Vietnam dhe Singapor, të cilat Andrew i ka poseduar gjatë kohës që shërbente si i dërguar tregtar i Mbretërisë së Bashkuar. Ndërkohë, policia po verifikon edhe akuza të reja se Epstein trafikoi një grua në banesën e tij në Windsor në vitin 2010.

Reagimi i Buckingham Palace ishte i prerë. Mbreti Charles III, përmes një deklarate zyrtare, u shpreh i shqetësuar, por dha mbështetjen e tij të plotë për autoritetet, duke theksuar se ligji duhet të ndjekë rrugën e vet.

Andrew, i zhveshur tashmë nga detyrat mbretërore, i mohon shkeljet. Ai tashmë rrezikon burgim të përjetshëm nëse shpallet fajtor nga Gjykata e Kurorës për shpërdorim detyre.