KreuCelebrity

Whitney Wolfe Herd: Nga bashkëthemeluese e Tinder-it te miliarderja më e re self-made në histori

Whitney Wolfe Herd: Nga bashkëthemeluese e Tinder-it te miliarderja më
Whitney Wolfe Herd është një nga historitë më frymëzuese të botës së teknologjisë dhe sipërmarrjes moderne. Ajo bashkëthemeloi Tinder-in, u përjashtua nga kompania e saj mes polemikave dhe akuzave për ngacmim, por u rikthye fuqishëm duke krijuar Bumble aplikacionin që ndryshoi rregullat e takimeve online dhe e bëri miliardere në moshën 31-vjeçare.

Në vitin 2012, Wolfe Herd, vetëm 22 vjeçe, iu bashkua një startup-i të panjohur që më vonë do të shndërrohej në fenomen global: Tinder. Ajo kontribuoi në emrin e aplikacionit, dizajnin e logos dhe strategjitë e marketingut që e çuan platformën drejt suksesit botëror. Brenda kompanisë ajo mbante postin e zëvendëspresidentes së marketingut dhe konsiderohej një nga bashkëthemelueset.

Megjithatë, pas suksesit publik, prapaskena ishte e trazuar. Marrëdhënia e saj me një drejtues tjetër të kompanisë përfundoi dhe, sipas saj, edhe roli i saj në Tinder. Wolfe Herd deklaroi se u përjashtua, u kërcënua dhe u përball me një ambient toksik pune. Ajo ngriti një padi për ngacmim seksual, ndërsa media e kritikoi ashpër dhe Tinder mohoi rolin e saj si bashkëthemeluese.

Shumë menduan se karriera e saj kishte përfunduar. Por Wolfe Herd vendosi të rikthehej.

Në vitin 2014, ajo u takua me sipërmarrësin Andrey Andreev, themelues i Badoo, dhe së bashku lançuan Bumble. Ndryshe nga aplikacionet e tjera të takimeve, Bumble vendosi gratë në qendër: vetëm ato mund të bëjnë hapin e parë në komunikim.

Platforma u rrit me shpejtësi: 100 mijë përdorues në vitin e parë, pastaj 1 milion dhe më pas 10 milionë. Bumble u shndërrua në një lëvizje sociale dhe jo vetëm një aplikacion takimesh.

Wolfe Herd e imagjinoi Bumble si një ekosistem të plotë social:

•Bumble BFF për miqësi
•Bumble Bizz për rrjetëzim profesional
një platformë që promovon fuqizimin e grave në teknologji

Deri në vitin 2020, Bumble kishte mbi 100 milionë përdorues. Edhe pse Tinder mbetej më i madh, Bumble fitoi reputacion si një platformë më e sigurt dhe më e respektuar.

Në vitin 2021, Wolfe Herd e çoi Bumble në bursë. Ajo ra kambanën e NASDAQ duke mbajtur foshnjën në krah, një moment simbolik që bëri xhiron e botës. Në moshën 31-vjeçare, ajo u bë gruaja më e re miliardere self-made në histori.

Sot, Bumble vlen miliarda dollarë dhe Wolfe Herd vazhdon të drejtojë kompaninë duke zotëruar miliona aksione. Ndërkohë, Tinder është shitur dhe ristrukturuar disa herë.

Historia e Whitney Wolfe Herd nuk është thjesht një rikthim në biznes, por një deklaratë fuqie:

“U përpoqën të më heshtnin.

Kështu që ndërtova diçka më të zëshme.”

 

Klea Qoku - Bordo