KreuCelebrity

Bebe Rexha hap zemrën: Kam arritur çdo ëndërr në muzikë, por jo ende dashurinë e vërtetë

Bebe Rexha hap zemrën: Kam arritur çdo ëndërr në
Këngëtarja me origjinë shqiptare, Bebe Rexha, ishte së fundmi e ftuar në emisionin amerikan “The Jennifer Hudson Show”, ku foli për rrugëtimin e saj në industrinë e muzikës dhe projektet e reja, përfshirë albumin e shumëpritur “Dirty Blonde”.

Gjatë bisedës me moderatoren Jennifer Hudson, artistja ndau një kujtim të hershëm nga rinia, duke treguar se kur jetonte në shtëpinë e prindërve në New York, kishte shkruar në derën e dhomës së saj një mesazh motivues: se një ditë do të bëhej superyll dhe do të krijonte një hit ndërkombëtar.

Sot, këto synime janë bërë realitet. Rexha gëzon një karrierë globale dhe qëndron pas disa prej këngëve më të suksesshme të viteve të fundit. Ajo theksoi se gjatë jetës ka praktikuar shpesh “manifestimin”, duke projektuar me bindje dëshirat për të ardhmen, shumë prej të cilave janë realizuar nga bashkëpunimet me marka të njohura deri te pjesëmarrjet në talk show të mëdha.

Megjithatë, këngëtarja pranoi se një dëshirë mbetet ende e paplotësuar: gjetja e dashurisë së vërtetë.

“Kam pasur shumë manifestime dhe shumica janë bërë realitet… përveç dashurisë,” u shpreh ajo me sinqeritet, ndërsa moderatorja e inkurajoi duke i thënë se për këtë ka ende kohë.

Paraqitja e saj në program vjen në një moment të rëndësishëm të karrierës, pasi artistja po përgatitet për publikimin e plotë të albumit të ri, i cili pritet të sjellë një fazë të re artistike dhe të forcojë më tej praninë e saj në skenën ndërkombëtare.