KreuCelebrity

“Single nga zgjedhja, jo nga mungesa”, Sabina për tradhtinë, famën dhe kufijtë që nuk i thyen më

“Single nga zgjedhja, jo nga mungesa”, Sabina për

Nga Brunilda Gorovelli

Gazetarja dhe moderatorja sportive, Sabina Mete, në këtë intervistë për revistën “Bordo” flet pa filtra për dashurinë, vetminë dhe zgjedhjet e saj. Një rrëfim i sinqertë për të qenit single si akt force, për kufijtë që nuk i negocion më dhe për eksperiencën në BBVIP, mes pjekurisë emocionale dhe vetërespektit.

Sot je single. A është kjo një zgjedhje apo një fazë?

Të qenit single sot është një zgjedhje e ndërgjegjshme. Nuk është mungesë dashurie në jetën time, por prani e vetes sime. Kam qenë në marrëdhënie ku kam dashur fort, pa kursim, dhe pikërisht sepse e njoh këtë anë timen, sot zgjedh të mos hyj në diçka që nuk më plotëson plotësisht. Nëse është një fazë, është ajo e vetëdijes dhe qetësisë. Sot di çfarë dua dhe çfarë nuk pranoj më!

A mendon se shoqëria e sheh statusin single si dështim për një grua?

Po, ende ekziston ky perceptim. Shoqëria shpesh e lidh suksesin e një gruaje me një partner përkrah, jo me paqen e saj të brendshme. Një grua single shihet sikur “i mungon diçka”, ndërkohë që shpesh asaj i mungon vetëm kompromisi me veten, të cilin ka vendosur të mos e bëjë.

Kur njerëzit të pyesin “pse je ende vetëm?”, çfarë ndjen realisht?

Nuk më lëndon më kjo pyetje, por më bën të reflektoj. Fjala “ende” nënkupton vonesë ose problem, kur në fakt çdo njeri ka ritmin e vet. Unë nuk jam “vetëm”, jam në një fazë ku nuk pranoj shoqëri vetëm për të mos qenë vetëm. “Vetëm” nuk është fjalë që më përshkruan kështu që nuk habitem dhe as nuk hezitoj t’i kthej përgjigje dikujt.

A është të qenit single shenjë pjekurie apo zhgënjimi?

Për mua është shenjë pjekurie emocionale. Zhgënjimet i kam kaluar, i kam përballuar dhe i kam shndërruar në mësime. Sot nuk jam single sepse jam lënduar, por sepse jam shëruar. Në ditët e sotme është e vështirë të krijosh raporte siç unë i dua! Jam “old school” ndonëse jetoj në 2026.

Çfarë nuk fal më sot, pavarësisht se mund të dashurosh?

Nuk fal tradhtinë, gënjeshtrën dhe mungesën e respektit. Dashuria nuk justifikon çdo gjë. Kur cenohen vlerat, dashuria nuk mjafton më. E fal njeriun, por jo një mundësi e dytë për të qenë sërish krah meje. Besimi është si “Buka e thyer” në gjuhën tonë popullore, kur t’i e thyen...! Për mua ka dy lloje tradhtish, “One night stand” dhe lidhja paralele! Më e rrezikshmja është kjo e fundit sepse është sentimentale, dhe aty kupton se marrëdhënia mes dy vetëve ka përfunduar.

Përse nuk e fal tradhtinë?

Tradhtia nuk është gabim momenti, është zgjedhje. Dhe zgjedhjet kanë pasoja.

A është frika më e madhe të mbetesh vetëm apo të jesh me personin e gabuar?

Pa asnjë dyshim, frika më e madhe është të jesh me personin e gabuar. Vetmia të mëson të njohësh veten, ndërsa në një marrëdhënie e gabuar humb veten. Nuk i mendoj shpesh këto gjëra, ndoshta mosha më favorizon ende, por ne kurrë nuk e dimë çfarë na pret. Unë thjesht e jetoj jetën si më vjen.

A ndihen meshkujt të kërcënuar nga një grua e pavarur dhe e njohur?

Jo të gjithë, por ata që nuk janë në paqe me veten e tyre, po. Një grua e fortë nuk kërkon dominim, kërkon barazi. Kush e sheh këtë si kërcënim, ndoshta ka frikë nga vetja e tij. Unë si Sabina kam nevojë për njerëz që ecin krah meje, që kanë të njëjtin vizion, që shikimin e kanë edhe përtej asaj që shoh unë. Sabina nuk ka nevojë për njerëz që frikësohen nga Sabina, por për njerëz që më kapin dorën fort dhe më tregojnë se janë aty për mua.

A të ka penalizuar fama në dashuri?

Fama e vështirëson ndërtimin e një marrëdhënieje të sinqertë. Të bën më të kujdesshme, sepse jo të gjithë afrohen për ndjenja reale. Është një filtër i ashpër, por i nevojshëm. Profesion i paragjykuar dhe secili prej nesh e di çfarë mban në kurriz. Deri diku kanë të drejtë, por ne kemi shprehjen e famshme “Nuk futen të gjithë tek i njëjti thes”. Kush di ta bëjë diferencën do ta bëjë.

A ke pasur dikë që nuk të deshi sa ti e deshe?

Për këtë nuk përgjigjem dot me siguri, por jam njeriu që nëse të dua, të dua pa kushte, pavarësisht çfarë marr pas! Kam mësuar se dashuria duhet të jetë e ndërsjellë dhe e balancuar, jo sakrificë e njëanshme. Ndoshta më shumë, ndoshta më pak, por nuk e kam provuar ndonjëherë mos ma kenë kthyer dashurinë. Kam përjetuar një dashuri si ato në përralla dhe nuk mund të jem më shumë sesa mirënjohëse për çdo ndjesi, për çdo rrahje të fortë zemre, për çdo emocion që jetova në një marrëdhënie si ato që vendosen vetëm në libra!

A ke mbyllur derën për dikë që sot ndoshta do ta hapje?

Jo, sepse kur mbyll një derë, e bëj pasi kam provuar çdo rrugë tjetër. Sot jam në paqe me vendimet e mia, sepse kanë ardhur nga vetërespekti. Disa dyer ndonjëherë nuk ke dëshirë t’i mbyllesh, por t’i kupton që ato nuk të çojnë askund!

A je single sepse nuk gjen dot, apo sepse nuk pranon më pak?

Nuk pranoj më pak. Të gjesh është e lehtë, të zgjedhësh me mendje dhe zemër është e vështirë.

Çfarë ke mësuar për veten nga eksperiencat e tua sentimentale?

Kam mësuar që jam një njeri që dashuron thellë, por që duhet të vendos kufij. Dashuria pa kufij të konsumon. Kam mësuar që jam shumë herë më e bukur, shumë herë më e lumtur, shumë herë më e mirë kur dashuroj! Njeriu ka tjetër shkëlqim kur i rreh zemra fort! Kam mësuar gjithashtu se çdo gjë është rreth prioriteteve e nëse është vërtet i interesuar dikush për ty, do të provojë çdo rrugë derisa të vijë.

Cila është dobësia jote më e madhe në marrëdhënie?

Empatia ime. Shpesh justifikoj sjellje që nuk duhet t’i justifikoj. Por edhe këtë di ta bëj me kufij…

Çfarë gabimi përsërit gjithmonë në dashuri?

Nuk di të dashuroj ndryshe! Të dua shumë ose nuk të dua fare.

A të ka ndodhur të largohesh pa u kthyer kurrë pas?

Po. Dhe largimi im ka qenë gjithmonë i qetë, por përfundimtar. Është i vërtetë paralelizmi sikur të lexosh të njëjtin libër dy herë, kur kthehesh e kthehesh qindra herë tek i njëjti vend.

A beson ende te “një njeri i vetëm për jetën”?

Besoj te një partneritet i ndërtuar mbi respekt, jo tek idealizimet naive. Nëse ekziston “një”, ai ndërtohet çdo ditë. Jeta ka të papritura, ndodh që gjërat ndryshojnë, ambiciet, ndjenjat, dashuria! Të gjithë besoj, por edhe unë jam e përgatitur se sot është e vështirë ta besosh të vetmin për gjithë jetën.

Eksperienca jote në BBVIP?

Një eksperiencë shumë intensive, që të vendos përballë vetes dhe të tjerëve pa filtra. Jo e lehtë, por e sinqertë. Nuk doja që energjia e keqe të zbehte shkëlqimin tim! A ishte një dështim?! Edhe po, por kështu është jeta për mua, një vijë e përkulur me ulje-ngritjet e saj. S’do ketë fitore gjithmonë, me rëndësi është të dish limitet e tua.

Kishe një strategji apo ishe vetvetja?

Isha vetvetja, me të gjitha dritat dhe hijet e mia. Strategjitë mbarojnë, karakteri mbetet. Është i ashpër formati i “Big Brother” për një njeri kaq soft sa unë, por sigurisht shumë mirënjohëse që provova diçka që shumë të tjerë e ëndërrojnë.

Ishte dikush brenda shtëpisë që të tërhoqi emocionalisht?

Ka pasur momente afërsie, por jo diçka që të më largonte nga parimet e mia. Jam tipi i vajzës së vështirë, duhet shumë punë që dikush të më tërheqë emocionalisht vërtet! Për lojë nuk do t’i vija ndjenjat e mia në garë!

Çfarë të zhgënjeu më shumë nga sjelljet e banorëve?

Zhgënjim nuk mund ta them, por shpesh harrohej njerëzorja dhe respekti; i tillë është formati! Ky ka qenë kasti më i mirë ndonjëherë, jo për nga ana e zgjuarsisë, strategjive apo dinamikave të lojës, por kast me personazhe të ndryshme, plot ngjyra, ku secili e ka pasur një kontribut të veçantë në botën e artit.

Nëse do të hyje sërish, çfarë do të bëje ndryshe?

Nuk kam dëshirë të provoj diçka që tani për herë të dytë jam e sigurt që nuk e bëj dot.

A mendon se publiku të kuptoi vërtet?

Publiku pa një pjesë të vogël timen, atë që kamera zgjodhi të tregojë. Unë jam shumë më komplekse se kaq, si çdo njeri. Një njeri plot ngjyra, plot dritë, me një karizëm të veçantë. Por, jam edhe ajo vajza që qan, ajo vajza që lëndohet. Ditët e pakta të qëndrimit më penalizuan të tregoja më tepër nga vetja ime, por kush më njeh e di!