
Ka nisur së fundmi procesi gjyqësor ndaj Meta-s dhe Instagram-it lidhur me pretendimet se platformat nxisin varësi dhe dëmtojnë shëndetin mendor të të rinjve. CEO i Meta-s, Mark Zuckerberg, dha dëshminë e tij në gjykatë, duke deklaruar se Facebook dhe Instagram nuk lejojnë përdorues nën moshën 13 vjeç, pavarësisht provave të paraqitura që sugjerojnë se kjo grupmoshë përbën një pjesë të rëndësishme të audiencës.
Avokati Mark Lanier, i cili përfaqëson një grua që po padit Instagram-in dhe YouTube-in e Google për dëmtime të shëndetit mendor gjatë fëmijërisë, e vuri Zuckerbergun nën presion lidhur me deklaratat e tij të mëparshme në Kongres në vitin 2024. Lanier paraqiti dokumente të brendshme të Meta-s për të sfiduar pretendimin se fëmijët nën 13 vjeç nuk përdorin platformën.
Paditësja pretendon se kompanitë e rrjeteve sociale kanë kërkuar përfitime financiare duke i bërë fëmijët të varur nga shërbimet e tyre, pavarësisht njohjes së rreziqeve për shëndetin mendor. Sipas saj, përdorimi i këtyre aplikacioneve ka nxitur depresion dhe mendime vetëvrasëse, ndaj ajo kërkon që kompanitë të mbajnë përgjegjësi.
Meta dhe Google i kanë mohuar kategorikisht akuzat, duke theksuar se kanë investuar në funksione dhe mjete sigurie për mbrojtjen e përdoruesve të rinj.
Gjatë seancës u paraqit edhe një prezantim i brendshëm i Instagram-it nga viti 2018, ku thuhej: “Nëse duam të fitojmë me adoleshentët, duhet t’i sjellim ata që në moshë më të vogël.” Avokati Lanier e përdori këtë dokument për të sfiduar qëndrimin e kompanisë, ndërsa Zuckerberg u përgjigj se deklarata po keqinterpretohej.
Ai sqaroi se Meta ka zhvilluar diskutime për krijimin e versioneve më të sigurta të shërbimeve për fëmijët dhe konfirmoi se ideja për një version të Instagram-it për nën 13 vjeç ishte shqyrtuar, por nuk u realizua.
Ndërkohë, rivalët e Meta-s, Snap dhe TikTok, arritën marrëveshje me paditësen përpara nisjes së gjyqit javën e kaluar.
Zuckerberg theksoi se verifikimi i moshës së përdoruesve mbetet sfidë për zhvilluesit e aplikacioneve dhe sugjeroi se përgjegjësia duhet të ndahet me prodhuesit e pajisjeve mobile. Ai shtoi se adoleshentët në Instagram përbëjnë më pak se 1% të të ardhurave të platformës.
Prokurorët paraqitën gjithashtu një dokument të vitit 2022 që përfshinte “piketa” për zhvillimin e Instagram-it, duke përfshirë rritjen e kohës mesatare ditore të përdorimit nga 40 minuta në vitin 2023 në 46 minuta deri në vitin 2026. Zuckerberg argumentoi se këto nuk janë objektiva, por tregues orientues për drejtuesit e kompanisë.
Në përgjigje të pyetjeve nga avokati i Meta-s, Paul Schmidt, Zuckerberg tha se objektivat e punonjësve fokusohen në përmirësimin e përvojës së përdoruesit.
“Nëse e bëjmë këtë si duhet, njerëzit i gjejnë shërbimet më të vlefshme dhe një efekt anësor është se do t’i përdorin më shumë,” u shpreh ai.
Kjo është hera e parë që themeluesi miliarder i Facebook-ut dëshmon në gjykatë për ndikimin e Instagram-it në shëndetin mendor të përdoruesve të rinj.
Jashtë gjykatës, avokati Matthew Bergman, që përfaqëson prindër të tjerë që pretendojnë se rrjetet sociale kanë kontribuar në vdekjen e fëmijëve të tyre, deklaroi se familjet shpresojnë që kostot e proceseve gjyqësore ta detyrojnë industrinë të ndryshojë.
