KreuCelebrity

Lex Wexner flet për lidhjen me Jeffrey Epstein: “Isha naiv që i besova”

Lex Wexner flet për lidhjen me Jeffrey Epstein: “Isha naiv që i
Biznesmeni miliarder amerikan Lex Wexner, i përfolur prej kohësh për rolin e tij në ngritjen financiare të Jeffrey Epstein, ka deklaruar para ligjvënësve amerikanë se ishte “naiv dhe i mashtruar” që i besoi financierit të dënuar.

Në dëshminë e tij, ish-drejtori ekzekutiv i Victoria’s Secret akuzoi Epstein se kishte përvetësuar “shuma të mëdha” parash nga familja e tij gjatë kohës që shërbente si këshilltar financiar.

Wexner dëshmoi para Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve në kuadër të hetimeve mbi rrjetin dhe aktivitetet e Epstein, pas publikimit të mijëra dokumenteve që lidhen me krimet e tij. Një dokument i FBI-së i vitit 2019 e përshkruante Wexner-in si bashkëpunëtor të mundshëm të Epstein, megjithatë ndaj tij nuk është ngritur asnjë akuzë dhe ai ka mohuar çdo shkelje.

Anëtarë të komitetit udhëtuan në Ohajo, shteti i lindjes së Wexner, për të marrë dëshminë. Seanca u ndoq vetëm nga ligjvënës demokratë, ndërsa republikanët nuk morën pjesë personalisht, edhe pse disa anëtarë të stafit të tyre ishin të pranishëm.

Kongresmeni Robert Garcia nga Kalifornia theksoi rëndësinë e rolit financiar të Wexner në ngritjen e Epstein.

“Nuk do të kishte ishullin Epstein, avionin e Epstein dhe as fondet për trafikimin e grave dhe vajzave pa mbështetjen financiare të Lex Wexner,” deklaroi ai.

Në deklaratën hapëse, Wexner këmbënguli se marrëdhënia e tij me Epstein ishte e kufizuar dhe mohoi të ketë pasur dijeni për abuzimet seksuale.

“Isha naiv dhe budalla që i besova Jeffrey Epstein-it. Ai ishte një mashtrues. Ndërsa unë u mashtrova, nuk kam bërë asgjë të paligjshme dhe nuk kam asgjë për të fshehur,” u shpreh ai.

Ai shtoi se ishte i gatshëm të dëshmonte për të sqaruar situatën dhe pranoi se kishte vizituar ishullin privat të Epstein për “disa orë” së bashku me familjen e tij.

Marrëdhënia mes tyre daton që nga vitet 1980. Wexner ka deklaruar se i ndërpreu lidhjet pasi Epstein u akuzua për abuzim seksual me të mitur në Florida.

Dëshmia e tij vjen në një kohë kur presioni publik dhe ligjor për të zbardhur plotësisht rrjetin dhe mbështetësit e Epstein mbetet i lartë.