Një mbrëmje ndryshe për Mateo Borrin, i cili la për pak orë shtëpinë e Big Brother VIP 5 për të marrë pjesë në premierën e sezonit të shtatë të Goca dhe Gra, ku ndau detaje të pathëna nga përjetimi i tij në reality show.
Ai theksoi se synimi i vetëm mbetet fitorja, duke u shprehur se mbështetja e publikut është motivimi më i madh për të vazhduar përpara.
“Dua ta fitoj vetë Big Brother. Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa kur të vlerëson publiku. Kam ndjerë që publiku ka vlerësuar anën time njerëzore. Unë përpiqem të luftoj negativitetin dhe nuk do të dorëzohem. Po luaj me zemër”, tha Mateo.
Pjesa më e ndjeshme e rrëfimit lidhej me Brikenën, për të cilën ai pranoi se i sjell qetësi dhe janë momentet që i shijon më shumë brenda shtëpisë, edhe pse kjo ndonjëherë e bën të humbasë fokusin në lojë.
“Kur jam me Brikenën, shkëputem nga loja dhe humbas debate. I kam thënë gjithçka që mendoj dhe i kam kërkuar të ulë pak egon. E kam shumë për zemër. Dashuria nuk imponohet, por përqafimin që nuk ma dha, do t’ia marr vetë”, u shpreh ai.
Ndërkohë, Mateo nuk i kurseu kritikat ndaj disa banorëve të tjerë, duke thënë se nga disa prej tyre ndjen energji negative, gjë që e bën që të ndihet i izoluar në shtëpi.
“Momentet më të bukura i kam kur jam me Brikenën. Përndryshe, ndihem i rrethuar nga energji negative”, përfundoi ai.
