
Një situatë e tensionuar gjatë ceremonisë së BAFTA ka përfunduar me dorëheqjen e një anëtari të jurisë, duke hapur debat për mënyrën si u menaxhua episodi nga organizatorët.
Jonte Richardson, pjesë e Jurisë së Talenteve të Rinj të BAFTA-s, njoftoi largimin e tij nga institucioni, duke e cilësuar të papranueshme mungesën e një reagimi të qartë dhe të një kërkimfaljeje zyrtare pas një incidenti që përfshiu përdorimin e një fyerjeje raciste gjatë eventit.
Në një deklaratë publike, Richardson theksoi se heshtja institucionale përballë një situate të tillë përbën, sipas tij, një dështim serioz. Ai argumentoi se një qasje e tillë cenon besueshmërinë e një organizate që promovon diversitetin dhe gjithëpërfshirjen, ndërsa dërgon mesazhe të gabuara për komunitetet e prekura.
Incidenti ndodhi kur John Davidson, i cili vuan nga sindroma Tourette, bërtiti në mënyrë të pavullnetshme një fjalë fyese ndërsa në skenë ndodheshin aktorët Michael B. Jordan dhe Delroy Lindo. Ngjarja shkaktoi reagime të menjëhershme dhe diskutime të shumta në publik dhe në media.
Richardson u shpreh se vendimi për t’u tërhequr erdhi pas reflektimi personal, duke theksuar se nuk mund të vazhdonte të ishte pjesë e një strukture që, sipas tij, nuk mori përgjegjësinë e duhur për ndikimin e incidentit. Ai shtoi se zhgënjimi i tij është edhe më i madh për faktin se ceremonia mblodhi një numër të konsiderueshëm artistësh afrikano-amerikanë.
Deri më tani, nuk është raportuar për masa të tjera disiplinore, ndërsa debati mbi mënyrën e trajtimit të situatës vijon në opinionin publik.
