Një postim i fundit nga ish-konkurrentja e Përputhen ka ndezur spekulimet mbi hyrjet e reja në shtëpinë e Big Brother VIP Albania.
Eda Likaj, e njohur për publikun si ish-partnerja e Mateos gjatë eksperiencës së tyre në Përputhen, ka publikuar një “Story” ku shfaqet një valixhe e përgatitur për udhëtim. Edhe pse ajo nuk ka dhënë asnjë shpjegim të drejtpërdrejtë, ndjekësit kanë reaguar menjëherë, duke e lidhur këtë detaj me një hyrje të mundshme në formatin më të ndjekur televiziv në vend.

Në rrjet, komentet nuk kanë munguar. Shumë prej fansave janë të bindur se valixhja nuk është rastësore dhe se ajo mund të jetë në prag të një aventure të re televizive. Të tjerë, ndërkohë, e shohin si një strategji për të tërhequr vëmendje dhe për të shtuar kuriozitetin.
Deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga produksioni apo nga vetë Eda, por një gjë është e sigurt: mjafton një detaj i vogël për të ndezur imagjinatën e publikut kur bëhet fjalë për shtëpinë më të famshme në Shqipëri.
