KreuCelebrity

Saimir Korreshi, politikani që braktis Romën për Lushnjën!

Nga Brunilda Gorovelli

I drejtpërdrejtë, ironik dhe pa filtra, Saimir Korreshi është një nga zërat më autentikë të politikës shqiptare. Mes kujtimeve të një fëmijërie të vështirë, humbjes së të atit, dashurisë për familjen dhe përkushtimit ndaj njerëzve që përfaqëson, ai rrëfen një histori jete ku politika nuk është privilegj, por mjet për të mos heshtur.

Z. Korreshi, shpesh keni folur për vështirësitë e jetës suaj në rini. Sa ju kanë formuar ato për mënyrën se si e shihni sot politikën dhe jetën publike?

Ajo që ka ndikuar më shumë në jetën time ka qenë familja ime, e vuajtur nga ana ekonomike më tepër sesa ana shpirtërore dhe njerëzore. Kam pasur dhe kam një familje të mrekullueshme. Jam rritur me gjysh dhe stërgjysh, por ana ekonomike ka qenë jo e mirë sepse ishim një familje e quajtur kulakësh. Një familje që nuk kishte mundësi për t’u shkolluar, nuk i jepej mundësia për t’u shkolluar tim ati dhe mamasë sime. Kur shikoja shokët e mi që kishin mundësi dhe unë jo… kjo ka qenë e vetmja vuajtje shpirtërore, që më bënte të luftoja dyfish më shumë krahasuar me të tjerët. Çdo gjë ndryshoi kur kam fituar një bursë për të studiuar në Romë, në La Sapienza… jeta ime ndryshoi katërçipërisht.

Cili ka qenë momenti më i vështirë i jetës suaj dhe çfarë mësimi keni marrë prej tij?

Momenti më i vështirë ka qenë humbja e tim ati në një moment të papritur. Ka ndërruar jetë në një moshë fare të re, 50 vjeç. Ishte një moment kur unë kam qenë student në Romë, edhe ime motër sa kishte filluar studimet, ishte në vitin e parë. Gjyshja jetonte bashkë me ne dhe e kishim në moshën 90-vjeçare. Me humbjen e babait ishin vetëm në Lushnjë, gjyshja, mamaja dhe motra. Vdekja e tij ka qenë një goditje shpirtërore se humba shokun më të mirë të jetës. Nuk e kam pasur vetëm si figurë babai, por mënyra se si e impostonte ai marrëdhënien tonë njerëzore babë dhe bir ka qenë më tepër shoqërore. Ka qenë një njeri që më ka vënë në sedër, ikja e tij ishte një boshllëk që ka qenë e vështirë të mbushej. Këtu marr vendimin që të kthehesha në Shqipëri.

Bashkëshortja, fëmijët tuaj, familjarët sa ndikojnë në vendimet dhe qëndrimet që mbani publikisht?

Kanë rol vetëm këshillimor. Me bashkëshorten këshillohemi për shumë gjëra, mamaja ka mbajtur rolin që nuk futet në punët e mia fare, përveçse dashurisë dhe ngrohtësisë familjare. Më është dashur të marr vendime që fëmijë dhe ndoshta që unë nuk marr më tepër sesa një vlerësim këshillimor nga familja për të marrë vendime.

Ju jeni i njohur për gjuhën e drejtpërdrejtë dhe shpesh ironike në Kuvend. Cila është shprehja që përfaqëson realitetin shqiptar?

Për mua ‘ka vdek nervi shoqëror’! Një shoqëri që nuk di të reagojë, për këtë më vjen keq. Çdo gjë presin që duhet ta bëjë opozita apo politika. Nuk duhet të jetë kështu.

Cili është problemi më i madh që, sipas jush, po përballet sot Shqipëria?

Humbja e kushtetutës, humbja e ndarjes së pushteteve, shkrirja e pushteteve ose gjatësia e politikës ka arritur të asimiloj ndarjen e pushteteve. Kemi një njeri që drejton të gjitha organet ligjzbatuese, ekzekutive, mundohet të fusë duart në gjyqësor, kapjen e pjesës më të madhe të mediave, etj.

Çfarë ju shqetëson më shumë te fermerët dhe banorët e zonës që përfaqësoni?

Kanë shumë problematika! Mungesa më e madhe është mungesa shtetërore, duke filluar që nga grantet e AZHBR-s të bllokuara, si pasojë e vjedhjes qeveritare. Marrin çuditërisht shumë e shumë biznesmenë, të cilët kamuflohen me kontrata qiraje fiktive dhe marrin grante. Fermerët përmbyten, ngricat krijojnë probleme dhe nuk marrin asnjë ndihmë. E dyta është tregu dhe pasiguria ushqimore.

Nëse do të kishit vetëm një prioritet për Lushnjën, cili do të ishte ai?

Është qytet bujqësor, por që të krijohet një qytet bujqësor duhet të ketë një identitet të sajin. Me shtrirjen dhe popullsinë që ka Lushnja sot duhet të ishte qark, kjo kërkon një ndryshim drastik të Kushtetutës. Lushnja nuk ka identitet të sajin, nuk kemi institucione. Mospasja e institucioneve e ka kthyer në një vend që plaket dhe rrudhet përditë.

Si e shihni sot Partinë Demokratike dhe çfarë mendoni se duhet të ndryshojë urgjentisht brenda saj?

E shikoj në ngritje e sipër. Nuk është ‘on top’! Për shkak të një 4-vjeçari ku PD-ja filloi t’i gërryente themelet vetes së vet, përplasjet mes tyre apo shkëputjes së disa figurave të saj. Kjo i dha minus, nuk prodhoi një demokraci brenda llojit, por një përplasje shumë të fuqishme personale.

Kush është Saimir Korreshi jashtë Kuvendit: çfarë ju relakson, çfarë ju bën të qeshni?

Unë në jetën e përditshme rikthehem në identitet në sensin që unë kohën e lirë e kaloj me miqtë e mi dhe familjen time. Me shokët të cilët nuk më ka lidh politika, por i kam që nga fëmijëria. Gjithashtu, edhe të lexuarit, filmat dhe futboll. Jetojmë në një qytet ku nuk kemi kinema, nuk kemi teatër, nuk kemi jetë kulturore! Nuk ka një park lojërash për fëmijët, janë të detyruar të marrin tymin e duhanit nëpër lokalet ku ne rrimë.

“Dancing with the Stars” tregoi një anë tjetër tuajën, duket se edhe me studiot jeni po aq rehat sa foltorja në Kuvend?

Pjesëmarrja në "Dancing with the Stars" ishte diçka ndryshe, e kujtoj me nota pozitive. Kam pasur ftesa të tjera edhe për në “Big Brother”, por këtu thashë direkt po, e pëlqej vallëzimin, jo se jam profesionit, por sepse më pëlqen të kërcej në sebepe, e preferoj të kërcej valle.

Si do të donit të mbaheshit mend pas disa vitesh në jetën publike?

Në jetën time publike mbahem mend si avokat. Dua të mbahem mend si personi që i jep zgjidhje juridike ose halleve dhe problemeve të njerëzve.

Si reagojnë njerëzit kur mësojnë se keni punuar si picajol?

Një pjesë e mirë e shoqërisë sime e ka ditur, sepse unë nuk jam fshehur kurrë nga punët që kam bërë. Kam shitur në stadiumin e Romës kam punuar për 1 vit e gjysmë, kam punuar kamarier, kështu mbaja studimet edhe pse me bursë, por edhe familjen. Madje ne diskutojmë shumë për gatimin, japim mendimin dhe për brumin e picës se si mund të realizohet, të jetë krokant apo llojet e miellit apo majasë që përdornim për të zënë brumin; apo llojshmëritë e ndryshme të picave, mënyrat e pjekjes. Në Lushnjë e kanë ditur që kam bërë këtë punë. Në Tiranë habiten duke qenë politikan, duke qenë avokat, pedagog, njerëzit mendojnë se jeta fillon direkt politikan.

A ka ndonjë mësim nga kuzhina që e aplikoni sot në jetën publike apo politike?

Kujtoj ditët e Shën Valentinit ose ditët e Derbit, Roma-Lacio, ku të gjithë vijnë në një orar të caktuar dhe kanë një menu të larmishme, sepse nuk kemi një tavolinë me 10 veta që kanë një menu fikse. Por, janë dyshe apo të gjithë që vijnë ditën e ndeshjes në orarin nëntë pa një çerek që fillon ndeshja dhe të gjithë duan të hanë brenda pjesës së parë për të shijuar dhe pjesën tjetër të ndeshjes. Pra, ti duhet të jesh i organizuar dhe të kesh bonsens midis kuzhinës dhe reparteve të ndryshme në mënyrë që puna të shkojë perfekt. E vetmja gjë që e lidh me politikën është organizimi dhe puna në skuadër.

Le të kthehemi pak pas, batutat, momenti kur u bëre viral, si reaguan familjarët e tu, si e kujton këtë moment?

Një pjesë e mirë e shoqërisë e dinë që me këto batuta jam rritur, është në natyrën time. Është mënyra e të shprehurit tim që në fëmijëri me batuta dhe vazhdoj t’i bëj në jetën e përditshme. Një pjesë e shoqërisë i vlerëson, bashkëshortja jo. Ndonjëherë ndihet keq sepse ia dërgojnë shokët dhe miqtë, se si i duken batuat e njerëzve, i pret ‘obobo, ça tha sot’. Unë e bëj batutën për të nxjerrë në pah problematikën.

Sa përvjetorë keni ju? Dhe cilin harron më shpesh?

Datat e rëndësishme po i mbaj mend (qesh). Ne festojmë dhe datën e lidhjes, pra ditën kur i thamë “Po” njëri-tjetrit, që është 12 nëntori. Jam munduar që të mos i harroj këto data, ne kemi bërë ditën e lindjes së vajzës dhe një ditë pas kemi bërë dhe dasmën tonë, celebrimin, më 7 shkurt ka lindur vajza, më 8 shkurt celebrimi, kështu që dhe po të dua t’i harroj nuk i harroj dot (qesh).

Si po shkoni me kursimet, e keni marrë shtëpinë në Tiranë?

PO! Me kursimet e bankës (qesh). Ne kemi blerë një shtëpi në Tiranë, duke marrë një kredi në një bankë të nivelit të dytë në Lushnjë. Është një investim që e kemi bërë për fëmijët tanë. Ne kemi vendosur dhe vazhdojmë të jetojmë në Lushnjë. E morëm në momentin kur nuk ishte zhvlerësimi i euros, rritja e çmimeve, sepse këto tre vitet e fundit është bërë dramatike blerja e një shtëpie. Ia arritëm, e kemi marrë! Edhe pse kredia është për 20 vjet, por mendoj që për shumën që paguajmë te 37 000 në muaj është normale për kohën që jetojmë dhe duke parë vlerat e qirave që janë sot në Tiranë.

Por, ju keni vendosur të jetoni përgjithmonë në Lushnjë? Çfarë ju pëlqen më së shumti nga ky qytet?

E para, familja! Nëna ime jeton me mua, e ka vështirë që të lëvizë dhe ta lëmë vetëm në këtë moshë normalisht që nuk bën, unë jam kthyer për familjen time. Edhe bashkëshortja ka prindërit e saj, kam motrën time. Çuditërisht të gjithë të afërmit tanë, familjarët, shoqëria ime jetojnë në Lushnjë. Mezi pres të iki nga Tirana, për ta pirë atë kafen e pasdites në qytetin tim. Nuk të ofron gjë, por më jep qetësi absolute.

Çfarë rutine keni ju në Lushnjë, përpos ditëve që vini në Tiranë me angazhimin tuaj në PD apo në Parlament?

Një ditë e imja në Lushnjë… Nuk kemi zyra, takimet me njerëzit i bëjmë nëpër kafene, për të takuar elektoratin lëvizim nëpër fshatra. Dhe momentet për t’u qetësuar janë kur jam me familjen, ose kur shikojmë ndeshje futbolli sepse është i vetmi argëtim që të ofron Lushnja.

Do të donit që fëmijët tuaj të merreshin me politikë?

Jo. Nuk ia kultivoj këtë pasionin që kam pasur vetë. Kjo ka ardhur si pasion, si rebelim ndaj asaj që pësoi im atë në rini, që nuk iu dha mundësia për t’u arsimuar.

Do të donit të largoheshin jashtë?

Me të drejtë rikthimi me kënaqësi të madhe.

Për ta mbyllur, çfarë është dashuria për Saimir Korreshin?

Dashuria për mua është prindërore dhe bashkëshortore. Të dyja për mua janë pazgjidhshmërisht me jetën, nëse mungon njëra prej tyre është si njeriut që i mungon një gjymtyrë. Janë elementare sepse në momentet më të vështira, atëherë kur ti je zero janë të vetmit njerëz që të duan pa kushte.