
Charles Leclerc dhe partnerja e tij, Alexandra Saint Mleux, janë kthyer në qendër të vëmendjes pas disa videove që po qarkullojnë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke ngritur dyshime për një martesë të mundshme të mbajtur larg syrit të publikut.
Në pamjet e publikuara, piloti i Scuderia Ferrari shihet duke drejtuar një Ferrari klasik 250 Testa Rossa, ndërsa në vendin e pasagjeres ndodhet Saint Mleux, e veshur me një fustan të bardhë që i ngjan një fustani nusërie dhe me një buqetë të bardhë në duar. Edhe Leclerc shfaqet i veshur me një kostum elegant, detaj që ka shtuar më tej aludimet për një ceremoni martesore sekrete.
Çifti u shfaq për herë të parë publikisht në korrik 2023 gjatë turneut Wimbledon, ndërsa në nëntor 2025 konfirmuan fejesën e tyre. Megjithatë, deri tani as Leclerc dhe as Saint Mleux nuk kanë bërë një deklaratë zyrtare për një martesë.
Nëse lajmi konfirmohet, ceremonia do të kishte ndodhur vetëm pak ditë përpara nisjes së sezonit të ri të Formula 1. Leclerc pritet të udhëtojë drejt Melburnit për Çmimin e Madh të Australisë, që zhvillohet nga 6 deri më 8 mars.
Sa i përket pistës, piloti monegask është treguar i rezervuar për pritshmëritë e sezonit të ri, pas testeve parasezonale në Bahrein. “Është ende herët për të nxjerrë përfundime,” është shprehur ai, duke theksuar se skuadrat po mbajnë ende të fshehta potencialet e tyre reale.
Leclerc shtoi se përgatitjet kanë shkuar sipas planit dhe testimet kanë qenë të qeta, por performanca e vërtetë do të kuptohet vetëm në kualifikimet e para. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e starteve të forta, sidomos në kuadër të rregulloreve të reja, duke lënë të kuptohet se Ferrari synon ta nisë sezonin me ambicie të qarta.
