KreuCelebrity

Shuhet në moshën 79-vjeçare parodisti i Vlorës Mane Lumani

Shuhet në moshën 79-vjeçare parodisti i Vlorës Mane Lumani

Vlora humbi këtë të dielë një nga figurat më të dashura të humorit dhe parodisë, Mane Lumani, i cili ndërroi jetë në moshën 79-vjeçare. Lajmin e trishtë e bënë të ditur familjarë dhe miq përmes rrjeteve sociale, duke shkaktuar dhimbje tek komuniteti artistik dhe qytetarët.

Artisti u shua në ambientet e Spitalit Rajonal të Vlorës, ku prej më shumë se dy muajsh ishte i shtruar në reanimacion, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë në mushkëri dhe zemër. Vetëm pak ditë më parë, më 22 shkurt, ai kishte festuar 79-vjetorin e lindjes.

I konsideruar si një nga parodistët më të spikatur të qytetit bregdetar, Lumani u dallua ndër vite për mimikën karakteristike, finesën në interpretim dhe humorin e hollë që i dhuroi publikut. Për dekada me radhë ai ishte pjesë aktive e jetës artistike të Vlorës, duke sjellë qindra skeçe dhe parodi që u pritën me duartrokitje.

Së bashku me kolegët e tij, Afrim Agalliu, Agron Hamo dhe Muhamet Lika, ata formuan një nga grupet më të dashura të humorit shqiptar. Në arkivën e tyre numërohen mbi 300 parodi dhe rreth 450 skeçe, pa përfshirë gjini të tjera artistike.

Prej dy dekadash, për shkak të një operacioni të ndërlikuar në fyt, Mane Lumani kishte humbur zërin, çka e detyroi të tërhiqej nga skena, duke i dhënë fund aktivitetit të tij artistik. Megjithatë, ai mbeti gjithmonë pranë artit dhe publikut që e deshi.

I martuar dhe baba i katër fëmijëve, ai do të kujtohet si një familjar i përkushtuar dhe një artist që jetoi për humorin. Ndarja e tij nga jeta ka prekur thellë komunitetin artistik dhe qytetarët e Vlorës.

Kujtojmë se një tjetër parodist i njohur i qytetit, Muhamet Lika, u nda nga jeta në maj të vitit 2019. Siç rrëfente shpesh vetë Lumani në rrjetet sociale, ai e vizitonte rregullisht varrin e mikut të tij të hershëm.