
Shia LaBeouf ka reaguar për herë të parë pas arrestimit të tij për dy akuza sulmi, duke ndarë publikisht këndvështrimin e tij mbi ngjarjen.
Në një intervistë për Channel 5, me gazetarin Andrew Callaghan, aktori sqaroi se vendimi i gjykatës për t’u rikthyer në rehabilitim nuk ka të bëjë me varësinë nga alkooli, siç është aluduar, por me çështje të tjera personale që ai po përpiqet të adresojë.
“Duhet të përballem me këtë situatë. A do të thotë kjo që duhet të rikthehem në rehabilitim? Nuk jam gati për këtë hap. Nuk besoj se aty ndodhen përgjigjet e mia. Sinqerisht, nuk mendoj se kam problem me alkoolin. Nëse do ta mendoja vërtet kështu, do të shkoja,” u shpreh LaBeouf.
Sipas tij, thelbi i problemit nuk lidhet me konsumimin e alkoolit, por me vështirësitë në menaxhimin e emocioneve. “Mendoj se kam një çështje tjetër për të zgjidhur. Besoj se lidhet më shumë me zemërimin dhe egon time. Po përpiqem ta kuptoj dhe ta trajtoj,” shtoi aktori.
LaBeouf dha edhe versionin e tij për incidentin që çoi në arrestim, duke pretenduar se përplasja nisi pasi tre persona filluan ta preknin në mënyrë të papërshtatshme, një situatë që, sipas tij, i ka ndodhur edhe më parë.
Ndërkohë, Departamenti i Policisë së New Orleans deklaron se aktori dyshohet se ka shkaktuar trazira në një biznes në Royal Street gjatë natës së arrestimit.
