
Ish-ylli i NBA-së, Lamar Odom, rikthehet në qendër të vëmendjes me dokumentarin e ri “The Death & Life of Lamar Odom”, i cili pritet të publikohet më 31 mars 2026. Në këtë projekt, 46-vjeçari flet hapur për momentet më të errëta të jetës së tij, përfshirë mbidozën e rëndë që pësoi në vitin 2015 dhe pasojat serioze shëndetësore që e pasuan.
Në trailerin e dokumentarit, Odom zbulon se pas asaj ngjarjeje përjetoi pasoja të rënda fizike. “Kam kaluar 12 goditje në tru dhe gjashtë atake kardiake. Këto nuk janë gjëra që ndodhin zakonisht,” thotë ai, duke kujtuar periudhën kur jeta e tij ishte në rrezik.
Ish-basketbollisti pranon gjithashtu se gjatë asaj kohe jetonte një stil jete të shfrenuar, të mbushur me festa dhe abuzim me alkoolin dhe drogën. Dokumentari përfshin edhe dëshminë e ish-bashkëshortes së tij, Khloe Kardashian, e cila rrëfen për vështirësitë që përjetoi gjatë martesës së tyre.
Çifti u martua në vitin 2009 dhe u nda në vitin 2013. Kardashian tregon se Odom shpesh largohej nga qendrat e rehabilitimit për t’u rikthyer në festa dhe përdorim droge. “Askush nuk e dinte ku ishte. Ndihesha sikur ishte detyra ime ta mbroja dhe ta mbuloja,” shprehet ajo në dokumentar.
Nga ana e tij, Odom pranon hapur luftën me varësinë. Ai kujton se përvoja e parë me kokainën e tërhoqi menjëherë drejt një spiraleje të vështirë për t’u kontrolluar. “Ishte sikur të hapje një kasafortë që nuk mund ta mbyllja më,” rrëfen ai, duke shtuar se shumë net i kalonte në festa pa menduar për pasojat.
Së fundmi, ish-lojtari i Los Angeles Lakers u arrestua më 17 janar 2026 për drejtim automjeti në gjendje të dehur (DUI), çka e shtyu të rikthehej sërish në rehabilitim. Sipas agjentit të tij, Odom po i nënshtrohet trajtimit për përdorimin e marijuanës, me synimin për të shmangur rikthimin te substanca më të forta.
Përfaqësuesit e tij theksojnë se ai po reflekton seriozisht mbi jetën dhe zgjedhjet e së kaluarës. “Pas incidentit të fundit, Lamar ka vendosur të përballet me arsyet që e çojnë drejt varësisë dhe të marrë përgjegjësi të plotë,” thuhet në deklaratë.
Sipas tyre, ish-ylli i NBA-së është i vendosur të fokusohet te shëndeti dhe rikuperimi, duke shpresuar të lërë pas një kapitull të vështirë të jetës së tij.
