Kur imagjinon jetën e një sopranoje të vjen në mend Maria Callas, një diva dhe kaq! Por, kur takon Renisa Lackën kupton se përtej rolit skenik të artistes, ajo nuk është vetëm Violeta Valery e “La Traviata”, por një grua, bashkëshorte, e së fundmi mamaja e lumtur e André. Edhe pse ka gdhendur shumë karaktere nga kryeveprat operistike, ajo nuk do ta kishte imagjinuar që ardhja në jetë e të voglit të saj do të transformonte krejt jetën e saj. Krijimi i një kryevepre si André do të zbulonte tek ajo ngjyra të reja në dimensionin artistik, por jo vetëm. Në këtë intervistë për “Bordo”, artistja e rrëfen jetën nën efektin magjik të operës, nga shkollimi në Athinë te besimi që ajo ka te muzika klasike si domosdoshmëri shpirtërore, e padyshim disa risi që kanë mbushur me emocione të reja jetën e saj.
Soprano dhe mama me kohë të plotë, si po e ndan Renisa këtë kohë?
Rikthimi im në Opera pas lindjes erdhi shumë shpejt, por në mënyrën më të natyrshme dhe emocionale të mundshme. Për mua ishte një nevojë shpirtërore, një mënyrë për të ruajtur identitetin tim artistik, ndërkohë që përqafoja rolin më të bukur, atë të mëmësisë. U riktheva në muajin e katërt pas lindjes me një ndjesi kureshtjeje: si do ta gjeja zërin tim? Thellësinë e tij? Ngjyrat e reja? Sepse lindja, në rastin e një sopranoje lirike sjell një pjekuri shumë të madhe në kordat vokale. Mendoj se gjithçka vjen për mirë dhe me fuzion nga momenti që bëhesh nënë, ku fatmirësisht ne sopranot e kemi fatin ta përjetojmë. Sot koha ime ndahet mes bebit André dhe Operës.
A i keni kënduar ndonjë arie speciale bebit gjatë shtatzënisë?
Gjatë gjithë shtatzënisë kam qenë aktive profesionalisht. Madje kam bërë prova deri në javën e 41-të, një periudhë shumë e veçantë, sepse bebi dukej sikur ishte rehatuar aty (qesh). Në muajt e fundit i këndoja shpesh një romancë ruse: “Zdes khorosho” – “Bukur është këtu”. Ishte një reflektim i gjendjes sime të brendshme. Gjatë asaj kohe, në botën time ishte realisht bukur. Dhe ndoshta ai e ndjente këtë.

Çfarë ka ndryshuar në raportin tuaj me artin pasi u bëtë nënë?
Mëmësia i riorganizon prioritetet në mënyrë shumë natyrale. Një fëmijë vendos gjithçka në perspektivë. Nëse më parë ndihesha sikur nuk jetoja dot pa artin, sot e ndiej që arti im jeton më bukur kur jam e plotësuar si grua dhe si nënë. Arti më ndihmon të ruaj balancën. Kur i këndoj André dhe shoh se si qetësohet, e kuptoj se profesioni im nuk është vetëm karrierë, por një dhuratë që më shërben edhe në jetën personale.
Ju i takoni brezit të ri të sopranove, si e shihni skenën operistike sot?
Të jesh soprano sot është sfiduese. Ka shumë konkurrencë, krahasime dhe pritshmëri të larta. Por në fund, puna e vazhdueshme dhe besimi në vete mbeten themeli. Skena operistike sot ofron shumë mundësi, por edhe ritëm të shpejtë. Ndoshta ajo që mungon ndonjëherë është vlerësimi i thellë dhe i qëndrueshëm për artin operistik, si në kohën e Callas apo Pavarotti. Megjithatë, unë besoj se muzika klasike mbetet një domosdoshmëri shpirtërore, sidomos për brezin e ri.
Pas studimit në Athinë dhe eksperiencave të tjera, si ka qenë rikthimi në Shqipëri?
Rikthimi në Shqipëri ka qenë një ftesë dhe sfidë për mua! Mu ofrua një mundësi për të shkelur skenën operistike shqiptare. E pranova me kënaqësi, duke dhënë akoma edhe kësaj dite shpirtin për teatrin tim. Dhe për këtë do të jem përherë mirënjohëse dhe falënderuese, pasi e njoh në lëkurë si është të vlesh edhe fati të të mungojë. Teatri i Operës dhe Baletit është tempulli ku unë falem çdo ditë. Shqipëria pastaj si vend ma ka bërë rikthimin më të lehtë pasi gjithmonë më pëlqente ideja që të bëhesha dikush dhe të lija dhe unë një gur në vendin tim si shumë e shumë emra të tjerë.
Cili rol ju ka sfiduar më shumë emocionalisht, por edhe teknikisht?
Violetta Valery nga opera “La Traviata” e Xhuzepe Verdit ka qenë roli më sfidues mendoj, ndoshta sepse ka qenë roli i parë me të cilin kam hyrë në teatër. Akoma e kësaj dite kujtoj ato emocione dhe ndjej në trup mornicat që përjetova kur sipari i shfaqjes u mbyll. Ka qenë një natë që nuk do ta harroj kurrë. Është interesante se si duartrokitjet e publikut në fund të përshëndetjes mund të të pushtojnë të gjithën. Është një nga rolet më të vështira të repertorit operistik, si emocionalisht ashtu edhe teknikisht. Violetta është një rol që kërkon një elasticitet shumë të mirë të kordave vokale, pasi ti duhet t’i përshtatesh asaj tre lloje zërash. Në akt të parë atë koloraturë, në të dytin atë lirike dhe në të tretin dramatiken. Por kjo është edhe e bukura e së gjithës, që të veshësh personazhin në çdo detaj të tij të mundshëm. Përfshirja emocionale që duhet të përjetosh për t’i dhënë jetë këtij personazhi që venitet pak nga pak është edhe sfida më e madhe për çdo soprano që këndon këtë rol.
A ka një moment në skenë që do ta konsideronit “magjik”?
Skena në vetvete është magjike. Çdo herë që ngrihet sipari, ndodh diçka e papërsëritshme...!
Një grua artiste, a sakrifikon më shumë se një burrë në këtë profesion?
Mendoj se realitetet janë të ndryshme. Një grua artiste që është nënë dhe bashkëshorte shpesh menaxhon më shumë role paralelisht. Kjo kërkon organizim, disiplinë dhe shumë forcë të brendshme. Por nuk do ta quaja vetëm sakrificë, është edhe një burim fuqie. Artistët meshkuj shpesh kanë më shumë hapësirë për fokus të pastër artistik, ndërsa ne si gra mësojmë të performojmë në disa skena njëkohësisht në shtëpi dhe në teatër. Në fund të ditës, suksesi nuk matet me krahasim, por me integritetin dhe përmbushjen personale. Dhe kur një artiste arrin të jetë e realizuar si profesioniste dhe si grua, kjo është forma më e lartë e elegancës.

